Për mbijetesën janë edhe gjashtë finale, ja kalendari i Vorës në javët e mbetura
Abissnet Superiore po shkon drejt fundit dhe secili klub po nis llogaritë për të realizuar objektivat e veta. Kështu edhe te Vora kanë nisur numërimin mbrapsht për ndeshjet e mbetura, të cilat po cilësohen si të gjitha “finale” për mbijetesën. Nga klubi vorak, secila ndeshje ka rëndësi jetike, por varësia ndaj tyre mbetet një luftë e drejtpërdrejtë me vetveten, sepse fati për mbijetesën varet nga ecuria e tyre vetë si klub.

6 FINALET E MBIJETESËS – Finalja e parë nis këtë të shtunë nga Vlora kundër Flamurtarit, një rival direkt që duhet mundur, pasi vlerat e një fitoreje të tillë janë të dyfishta. Më pas, në pesë ndeshjet e mbetura deri në fund, do të jenë takime që do të luhen të gjitha në shtëpi, duke nisur me Vllazninë, Egnatian, Elbasanin, Dinamon, dhe vendimtare e përcaktuese do të jetë ndeshja e fundit kundër rivalit tjetër direkt, Bylisit, një sfidë që do të vendosë shumë për fatet e klubit vorak.
BILANCI ME FLAMURTARIN – Vora në këtë sfidë kundër Flamurtarit vjen me moral të lartë, pas fitores bindëse ndaj Teutës, që përforcoi më shumë pozitat e mbijetesës dhe duke qenë në tabelë dy pozicione më lart se Flamurtari. Vora mban vendin e 8-të që i përket zonës “play out”, ndërsa Flamurtari është në vendin e fundit që del direkt nga kategoria, në një diferencë prej 5 pikësh. Duke u nisur nga kjo situatë, Flamurtari është më i rrezikuar dhe më i ngarkuar psikologjikisht, pasi mbijetesa e tij varet shumë nga ky takim.
Vora ka një bilanc pozitiv edhe përsa i përket tre ndeshjeve të luajtura këtë sezon ndaj Flamurtarit, fituan një takim (1-0) dhe barazuan dy (1-1 dhe 0-0). Ndërkohë, këto dy skuadra më herët janë ndeshur edhe gjashtë herë në kategorinë e parë. Rezultatet janë të barabarta: Vora ka fituar 3 dhe Flamurtari 3 me një golavarazh negativ 9- 12. Pra, në 9 përballje gjithsej, Vora ka 4 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje me golaverazhin e përgjithshëm 11-13.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













