Pasqyra/ Probleme para jubileut, Partizani ndërron pesë trajnerë në dy vite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2025 | 10:39

Pasqyra/ Probleme para jubileut, Partizani ndërron pesë trajnerë në dy vite

Largimi i Skënder Gegës e ka lënë Partizanin pa trajner. Aktualisht, bëhet fjalë për të vetmin ekip të Superiores që nuk ka një “timonier” në krye. Partizani fitoi titullin e fundit kampion në majin e vitit 2023. Para se Egnatia të fillonte dominimin në futbollin shqiptar, ishin të kuqtë që koleksionuan trofeun më të rëndësishëm në vend.MixCollage-29-Jul-2025-10-31-AM-9743“Panorama Sport” ju sjell një pasqyrim të trajnerëve në krye të kryeqytetasve pas atij edicioni. Bie në sy se nuk ka pasur stabilitet, pasi, bashkë me Abilaliajn, ekipi është drejtuar edhe nga Zoran Zekiç, Orges Shehi, Aleksandar Veselinoviç dhe Skënder Gega. Tashmë skuadra ka mbetur pa trajner dhe pesë emra të ndryshëm në dy vite kanë patur ndikimin e tyre në mungesën e arritjes së objektivave.

Në një krahasim të përciptë me Egnatian që ka dominuar, bie në sy se rrogozhinasit gjatë kësaj kohe nuk e kanë ndërruar Edlir Tetovën. Për t’u kthyer te Partizani. Xhovani Kolela dha dorëheqjen, pasi të kuqtë u shpallën kampion. Kështu, maji i vitit 2023 ishte i fundit për të në krye të detyrës, bashkë me drejtorin sportiv Elton Marini. Italiani ndoqi rrugën e Marinit, ndërsa prej atëherë është i vetmi trajner që ka arritur objektivin e klubit. Pas atij momenti, janë dy edicione ku Partizani numëron vetëm fitimin e një Superkupe.

KOLELA- Trajneri italian qëndroi për një edicion të plotë. Partizani luajti në total 42 ndeshje, ku fitoi 24, barazoi 8 dhe humbi 10. Golavarazhi ishte 66:41. Të kuqtë e mbyllën kampionatin me 67 pikë, po aq sa Tirana, që u pozicionua e dyta, falë disavantazhit në përballjet direkte. Partizani fitonte dy derbi me Kolelën dhe humbi e barazoi nga një. Mesatarja e trajnerit italian në kampionat ishte 1.86 pikë për ndeshje. Zhgënjimi i madh ishte eliminimi në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë nga Vllaznia. Sfida e parë në Shkodër tronditi edhe pozitat e tij si trajner.KOZEKIÇ- Partizani u qëndroi besnik trajnerëve të huaj, pasi Kolela u largua. Zoran Zekiç u prezantua nën praninë e presidentit Gazment Demit dhe Arbër Abilaliajt. Ky i fundit sapo kishte marrë detyrën e drejtorit sportiv dhe tregonte se Zekiç ishte dëshirë e tij. Partizani kishte objektiv grupet e Europës, por nuk ia doli. Pas eliminimit nga BATE Borisov, fitoreve ndaj Atletik D’Eskaldes dhe Valmierës, ishte Astana në “play off” të Ligës së Konferencës që ndaloi “Demat”. Osijek pagoi 100 mijë euro asokohe, ndërsa Partizani pranoi largimin e Zekiçit. Për gjashtë javë të kampionatit, Partizani e kishte mesataren 1.83 pikë në ndeshje. Largimi u paralajmërua duke munguar në konferencën për shtyp para ndeshjes së fundit që u fitua 4-3 me Kukësin. Bilanci i tij ishte 14 ndeshje në total, ku fitoi 7, barazoi 4 prej tyre dhe humbi 3. Golavarazhi 19 gola të shënuar me 13 të pësuar. Zekiç nuk arriti ta provonte shijen e derbit.ZESHEHI- Partizani i sezonit 2023-24 ishte programuar për të dalë kampion. Kontingjenti i lojtarëve ishte i tillë. Pasi Abilaliaj qëndroi për disa ndeshje në krye të skuadrës, duke fituar Superkupën e vitit 2023, Orges Shehi u vendos në krye. Emërimi i tij në dhjetor ishte i bujshëm, pasi për herë të fundit kishte qenë në krye të Tiranës. Në prezantimin e Shehit qëndronte Abilaliaj. Trajneri durrsak nuk pati rrugëtimin e ëndrrave, pasi humbi finalen e Final Four përballë Egnatia. Tronditja më e madhe ishte në Kupë pasi Kukësi, që më pas rrëzohej në Kategorinë e Parë, eliminonte të kuqtë përmes penalltive në çerekfinale. Dështimi në Europë, ku Partizani u eliminua në turin e dytë nga Iberia, solli ndarjen e rrugëve me konsensus. As Partizani dhe as Shehi nuk ishin optimistë për vazhdimin e bashkëpunimit. Trajneri u largua me shijen e 27 ndeshjeve ku fitonte 13, barazonte 6 dhe humbiste 8. Të shënuar ishin 37 gola, ndërsa të pësuar 25. Mesatarja e pikëve në kampionat ishte 1.72 për ndeshje. Shehi ka kujtime të bukura nga ndeshjet derbi, pasi me të në krye u fituan të dyja.SHE

VESELINOVIÇ- Trajneri serb është i vetmi i shkarkuar zyrtarisht nga të kuqtë, nga trajnerët e afruar pas shpalljes kampion në vitin 2023. Prezantimi i tij erdhi rreth tri javë pas largimit të Shehit, pikërisht në fundin e gushtit të vitit 2024. Krah tij qëndronte Abilaliaj. Dhe pse kampionati kishte vazhduar, në fillim qëndroi pikërisht Abilaliaj në krye të skuadrës. Drejtori sportiv i Partizanit është rast i pazakontë te të kuqtë, pasi për disa periudha ka qëndruar në krye të stolit. Veselinoviç do të mbahet mend si trajneri që e provoi shijen e humbjes në ndeshjen e 15-të që drejtonte, teksa edhe barazimet i kishte të shumta. Serbi u tregua kritik me drejtuesit për lëvizjet e merkatos së dimrit. 26 ndeshje për të në total, ku fitoi 9, barazoi 14 dhe humbi vetëm 3. Pas dy humbjeve radhazi, erdhi edhe shkarkimi. Skuadra e Veselinoviçit pësonte 32 gola dhe shënonte 21. Mesatarja e pikëve për të në kampionat ishte 1.54. Partizani mbante vendin e katërt në kampionat, ndërsa kishte barazuar ndeshjen e parë të çerekfinales së Kupës përballë Laçit. Veselinoviç e provoi tri herë si ishte drejtimi i një derbi, ndërsa të trija sfidat u mbyllën me barazime.VE

GEGA- Skënder Gega mori drejtimin e Partizanit në momentin më kritik të edicionit të kaluar. Zyrtarizimi erdhi krah presidentit Demi. Ishte fundi i marsit, kur bashkë me drejtorin teknik Sokol Haxhia iu bashkuan “Demave”. Para Gegës, ishte Abilaliaj që drejtonte skuadrën në disa sfida. Sukses gjatë asaj kohe ishte vetëm eliminimi i Laçit në Kupë, ndërsa në kampionat Partizani po rrezikonte pjesëmarrjen në “Final Four”. Emërimi i trajnerit tropojan solli entuziazëm te tifozëria e kuqe. Nuk bëhej fjalë vetëm për një trajner nga familja, por edhe për teknikun që riktheu trofeun e titullit pas 26 vitesh pritje. Partizani me vështirësi siguroi pjesëmarrjen në Final Four. Ia doli si vend i katërt, pasi mposhti Elbasanin në javën e fundit. Në gjysmëfinalen e “Final Four” ishte Egnatia që eliminoi të kuqtë me barazim, falë avantazhit si e renditur më mirë në klasifikim. Më pas fitoi finalen e vogël, për ta mbyllur në vendin e tretë kampionatin. Shije të hidhur la fillimisht humbja 3-0 me Tiranën në derbi. Zhgënjimi më i madh erdhi më pas në Europë, ku e nisi këtë edicion me eliminim që në turin e parë. Ky fakt solli edhe largimin e Gegës. Në total janë 11 ndeshje. Nga ato janë fituar 5, barazuar 2 dhe humbur 4. Totali jep 8 gola të shënuar dhe 9 të pësuar. Vetëm te faza e kampionatit bëhet fjalë për një mesatare 1.8 pikë për ndeshje. Po ashtu, duhet rikujtuar Kupa. Partizani ishte pranë kalimit në finale, sepse kishte mposhtur Egnatian në ndeshjen e parë, por në fund u eliminua tek “Arena e Demave”.SK

ABILALIAJ- Rezulton se, pas Kolelës, asnjë trajner nuk i ka arritur objektivat. Gega kishte kohën më të shkurtër në krye, ndërsa po ashtu edhe Zekiç. Abilaliaj është detyruar të qëndrojë tre herë në pankinë si trajner, ndërsa ka kujtimin e fitimit të Superkupës së vitit 2023. Fillimisht ka drejtuar ekipin pas largimit të Zekiç, më pas të Shehit dhe së fundmi të Veselinoviçit. Nga ana e drejtorit sportive, janë 20 ndeshje në total. Gjatë tyre, janë fituar 9 sfida, janë barazuar 7 dhe humbur 4. Mesatarja në kampionat për Abilaliajn në të gjitha periudhat tregon 1.56 pikë për ndeshje. Pasi ekipi ka mbetur pa trajner, nuk po drejton Abilaliaj si në rastet e kaluara të ngjashme. Provizorisht ndodhet Fatjon Muhameti. Të kuqtë vazhdojnë të kërkojnë për teknikun që do nisë kampionatin e edicionit që përkon me 80-vjetorin e klubit. Nga titulli i fundit kampion dhe deri tani ka disa zhgënjime. Viti 2024 dhe 2025 mbyllen pa trofe. Po ashtu, vjet u kalua vetëm një tur në Europë, ndërsa sivjet asnjë. Kjo tregon më tepër rënien.AR

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL