Partizani rikthehet në fushë, të kuqtë masin forcat me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2025 | 8:40

Partizani rikthehet në fushë, të kuqtë masin forcat me Kukësin

Partizani do të rikthehet sot në fushë. Në orën 18:00 është programuar takimi miqësor përballë Kukësit në stadiumin “Arena e Demave”.

partizani

Të kuqtë do të jenë për herë të parë nën drejtimin e trajnerit Oltijon Kërnaja. Ky i fundit ka qenë më parë trajner i verilindorëve, që tashmë kanë në stol Bledar Devollin. Interesant është fakti se Oltijon Kërnaja qëndron sot i gatshëm për dy skuadra.

DY NDESHJE- Partizani B do të zhvillojë miqësore me Dinamon B. Sfida do të nisë në orën 12:00 në Arbanë. Kërnaja do të jetë në krye të skuadrës me të cilën po punon nga muaji korrik. Angazhimi nuk do të përfundojë me kaq për Kërnajën sot te klubi i kuq. Trajneri tropojan do të kthehet më pas te stadiumi “Arena e Demave”. Aty ku do të zhvillohet ndeshja mes Partizanit dhe Kukësit. Sfida miqësore do të fillojë në orën 18:00.

FITORJA- Partizani e ka provuar rrallë shijen e fitores këtë sezon. Të kuqtë triumfonin me rezultat minimal ndaj Vorës në fillimin e kampionatit. Një autogol vendoste fatin e ndeshjes, më 24 gusht. Duke përfshirë edhe ndeshjet e Europës, në total janë tetë sfida. Me vetëm një fitore në ndeshje zyrtare, mund të kuptohet gjendja e vështirë gjatë këtyre muajve.

LOJTARËT- Partizani ka zhvilluar dje seancën e radhës stërvitore. Përgatitjet kanë në fokus përballjen me Flamurtarin, që do të luhet në Vlorë më 19 tetor. Grupi i Partizanit është i plotë, me përjashtim të Hjumen që po rikuperohet nga konraktimi. Kërnaja po punon me Diego Kontreras dhe Mandon po ashtu. Të dy sulmues të ekipit B, që bëjnë mjaft mirë bashkë. Mungesat janë lojtarë si Kote, Toma, Himallari, Vata, Malaj, që po kontribuojnë te kombëtaret e moshave.

MANDO- Kërnaja ka rikthyer Mandon tek ekipi i parë i Partizanit. Sulmuesi nga Siria shënonte 9 gola në edicionin e kaluar. Edhe për këtë edicion e ka gjetur golin e parë. Mando ishte zbulim i ekipit B vjet. Partizani madje e prezantonte në shkurt, ndërsa ka kontratë të vlefshme deri në fundin e sezonit të ardhshëm. Kontreras pret mundësinë në ndeshje zyrtare, ndërsa Mandon në anën tjetër ka luajtur.

MOSHAT- Dje futbollistët e Partizanit morën minutat e tyre tek ekipi U-19 dhe U-21. Shqipëria U-19 mposhti Irlandën U-19 me rezultatin 2 me 1 në “Shtëpinë e Futbollit”. Malaj u aktivizua në minutën e 66-të. Shpresat e luajtën takimin e tyre në stadiumin “Air Albania”. Skuadra e Alban Bushit fitoi me rezultatin 2-0 përballë San Marinos U21. Gjergji Kote u aktivizua sapo filloi pjesa e dytë duke marrë vendin e Etnik Brrutit. Në minutën e 64-t ishte radha e Rrok Tomës, që zëvendësoi Kevin Dodajn.FDSFGEMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL