“Partizani ishte më i suksesshëm këtë sezon, tani të shohim anën sportive”, analiza e Nevil Dedes: Tolerime? Dikush ka fat në…
Nevil Dede ka lënë pak ditë më parë pankinën e Bylisit, por ka parë se si ish-skuadra e tij bëri surprizën e madhe duke mundur Partizanin dhe sjellë largimin e Aleksandar Veselinoviç nga të kuqtë. Një ndryshim në pankinë të cilin ai ka shpjeguar në fjalët e tij për ”Sport News” në “News 24” se nuk e sheh të motivuar nga të kuqtë.

Dede ka treguar në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa se Partizani nuk duhet kritikuar pasi në aspektin financiar ka qenë klubi më i suksesshëm në këtë sezon në Superiore me fitime kolosale nga shitjet. Njëkohësisht, ai ka insistuar se në fund të kampionatit, do të jenë me fat në luftën për mbijetesë ata skuadra që do të përballen me rotacionet e ekipeve të katërshes së parë.
Nevil, java e 26 prodhoi disa rezultate të forta, një prej tyre ishte fitorja me përmbysje e Bylisit ndaj Partizanit, çka solli shkarkimin e Veselinoviç. Pyetja që bëhet, a ishte i drejtë shkarkimi i tij? Po klubi a kishte përgjegjësi në një kohë kur i shitën 4 titullarë, i premtuan që të rrinte i qetë, por e shkarkuan?
Kur ju pyesni për një trajner a u mor vendimi i drejtë për shkarkimin e tij apo jo, unë gjithmonë mbaj anën e trajnerit. Duam të ruajmë institucionin. Politikat e një klubi nuk i bën trajneri por drejtuesit. Është më e thjeshtë të lëvizi një trajner, se të tjerët. Të them që është mirë një pikë kulminante kur kanë mbetur 10 javë, nuk është gjë e mirë. As klubi i Partizanit nuk është komod për këtë vendim. Ndoshta, mosdakordësia në mendime, si merkato e janarit, ndaj u ndala pak te politikat sportive. Nuk mundet që për kapriço të trajnerit, klubi të zhytet në borxhe. Kur nuk ka rezultate, trajnerët janë në “fije të perit”. Po ta shikosh nga ana menaxheriale, klubi i Partizanit është klubi më i suksesshëm në këtë sezon. Nuk di të them shifra të sakta, por arkëtimet janë 1 milion e ca euro. Kjo do të thotë se projekti financiar është arritur me sukses. Të shohim aspektin sportiv.
Po ky plani B i përhershëm i Partizanit që i besojnë stolin drejtorit sportiv, ndërkohë që ekipin e bën edhe drejtori sportiv, të duket normale?
As vetë Demi nuk mund t’i kërkojë llogari një trajneri të ri. Nuk është hera e parë që është Abilaliaj këtu. I njeh lojtarët dhe cilësitë e tyre. Në fund fare zgjidhja më e mirë do ishte gjetja e një trajneri të ri, sepse Abilaliaj nuk mund t’i bëjë dot të dy punët. Në këto kushte, ose do anashkalosh drejtorin, ose trajnerin. Nuk flasim më për profesionalizëm, por për përshtatje.
Një tjetër rezultat i fortë ishte fitorja e Teutës ndaj Tiranës, me bardheblutë që rikthehen sërish në zonën e kuqe, ke frikë për Tiranën?
Unë mendoj që janë 5 skuadra, ndoshta edhe Elbasani me një gabim tjetër, mund të futet në këtë vallen e rrezikshme sportive të rënies nga kategoria. Një herë mund të thuhet për një ekip që është në zonën e kuqe, pastaj në tjetrën. Deri në javën e fundit do luftohet. Kjo skemë me 10 skuadra nuk të jep kurrë pushim. Final Four mund t’u japë komoditet katër të parave nëse janë të shkëputura që të bëjnë rotacion.
Me katër ekipet e para të shkëputur ndjeshëm, që nuk e rrezikojnë prezencën në Final-Four, a mendon se do ketë tolerime, ose mos impenjim?
Kush ka fat, ose në fund fare mund të ketë një aleancë të fortë. Në shtetet më të mëdha të Europës vendoset kampionati në një ndeshje. Kur nuk e vërtetojmë dot, duhet të themi se ka fat, pasi një ekip siç thoni ju, nuk u impenjua si duhet. Ndërsa unë do thosha, një rotacion i përgjithshëm, dikush ka fat.
Këtë fundjave do të luhet derbi Tirana-Dinamo, si e sheh këtë përballje?
Unë mendoj që Tirana po luan mirë. Që në fillim, deri më tani, Tirana shënon, por gjithmonë pëson. Duhet të bësh fitore, nuk duhet të bësh pikë. Nuk është njësoj si të marrësh dy barazime dhe një humbje, me një fitore e dy humbje. Është një ekip i brishtë në gjykimin tim.
Në fund, mes katër ekipeve të para, kë sheh favorit në garën për titull, kë sheh si ekipin më të kompletuar?
Unë do thosha që dy vendet e para, janë më të avantazhuara të shkojnë në finale. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që të tjerat nuk kanë mundësi. Sa i takon finales, është një 90-minutësh, mund të ndodhë gjithçka. Egnatia ka treguar nivel tjetër deri tani. Ka shumë histori, që do zhvillohen.
PANORAMASPORT.AL













