Partizani “dramatik”, por rivalët direkt i ndal… gjithnjë
Ky i sivjetshmi mund të etiketohet si Par tizani “dramatik” në të mirë dhe në të keq. Nga 24 ndeshje të luajtura në total deri më tani në Superiore, 10 beteja janë vendosur me gola në minutat e fundit, ku një pjesë e tyre kanë shkuar në favor e një pjesë tjetër kundër.

Foto/ F. Hazisllari
E fundit ndeshje e vendosur në minutat e fundit ishte ajo kundër Tiranës në derbin e “Arenës së Demave”, ku Sembene shënoi për 1-1 në minutën e 90-të për të shmangur humbjen në një betejë shumë delikate dhe të tensionuar.
NË FAVOR – Kjo kundër Tiranës ishte vetëm nga ndeshjet me fund të lumtur për “demat”. Të kuqtë kanë arritur të barazojnë ose të fitojnë në çastet e fundit edhe në katër beteja të tjera. Ata kanë arritur të mposhtin Skënderbeu në startin e kampionatit, teksa bëri të njëjtën gjë edhe kundër Teutës.
Javë më vonë golat e Mba në fillim dhe në fund siguronin një barazim emocionues në Shkodër, para se të kuqtë të hipotekonin një tjetër fitore me gol në fund kundër Skënderbeut. E fundit ishte barazimi në derbi. Të kuqtë kanë arritur të fitojnë plot 11 pikë nga golat në minutat e fundit.
KUNDËR – Përveç golave në favor në minutat e fundit, ka pasur edhe të pësuar, që i kanë kushtuar ekipit pikë të çmuara. Të pesta këto beteja janë mbyllur në barazim. Bëhet fjalë për ndeshjet kundër Dinamos (2-2), Laçit (1-1), Teutës (1-1), Egnatias (1- 1) dhe Skënderbeut (1-1). Këto gola të pësuar në minutat e fundit i kanë kushtuar të kuqve plot 10 pikë, duke u hequr fitoren nga duart.
EKSPERT – Partizani sfidon të shtunën Egnatian, në një provë të madhe force ndaj kryesuesve të kampionatit. Po të analizonim në letër dy ekipet, Egnatia aktualisht ka organikë më cilësore dhe është ekip më në formë. Por nëse i referohemi asaj çka Partizani ka bërë gjatë këtij sezoni kundër tre rivalëve direkt të katërshes së parë, mund të themi se të kuqtë janë një skuadër që dinë mirë të sillën kundër të fortave.
Në shtatë ndeshje të luajtura ndaj Dinamos, Egnatias dhe Vllaznisë, Partizani është mposhtur vetëm një herë në ndeshjen hapëse kundër shkodranëve dhe më pas ka arritur të korrë tri fitore dhe po aq barazime. Ky bilanc tregon për një skuadër që impenjohet shumë me skuadrat e forta dhe që nuk dorëzohet as në kushte jo të barabarta. Në dy fazat e para kundër Egnatias, të kuqtë numërojnë një fitore dhe një barazim, pra bilanc pozitiv.


DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













