Partizani A i prish punë ekipit B, ndjehet mungesa e të larguarve
Partizani B ka humbur shkëlqimin, që kishte në pesë javët e para. Shkak është bërë prishja e ekipit, që u ndërtua nga muaji korrik për të qenë konkurrues.

Nga ndeshja e fundit mungonin të paktën pesë titullarë, që më parë ishin më të rëndësishmit e formacionit. Diego Kontreras, Marjus Kola, Denis Sulo, Babukar Jata dhe Kazim Ogunleje nuk luajtën në transfertën e Këlcyrës. Përballë ekipit të vendit të fundit në Kategorinë e Dytë, mungesat u ndjenë. Kështu Partizani u largua vetëm me 1 pikë nga transferta e javës së dhjetë. Të pestë futbollistët e përmendur ndërkohë, janë kthyer në forcë për ekipin e parë. Nga muaji tetor, kontributi i tyre është parë mjaft i rëndësishëm. Kjo pasi edhe Partizani doli nga kriza e rezultateve në Superiore.
NDRYSHIMI- Të kuqtë e ekipit B numëronin vetëm fitore pas pesë javëve të para. Tri prej tyre madje ishin me pesë gola apo më tepër, pikërisht në fillimin e sezonit të Kategorisë së Dytë. Çdo gjë nisi të ndryshonte nga java e gjashtë me Shkumbinin dhe në vazhdim, ndërsa trajneri Oltijon Kërnaja dhe lojtarë si Diego Kontreras dhe Marjus Kola filluan të kalonin vetëm në planet e ekipit të parë. Askush nuk e priste, që në pesë javët e ardhshme, ndryshe nga fillimi, të mos regjistrohej asnjë fitore në fushën e blertë.
Barazimi me Bylisin B u konvertua në fitore nga Disiplina, ndërsa në fushën e blertë çdo gjë u nda me barazim. Barazimet e tjera me Shkumbinin, Butrintin, Këlcyrën, si dhe humbja me Orikun, kanë bërë që Partizani B të mos trembë më. Vetëm për shkak të formës së fillimit, akoma mbetet me 2 pikë më pak se Oriku kryesues. Të kuqtë e vendit të tretë e kanë humbur shkëlqimin, siç kuptohet pas gjysmës së parë të sezonit. Megjithatë, objektivin “play off” nuk duan ta diskutojnë te “demat”, për të shpresuar më pas te ngjitja në Kategorinë e Parë. Besimi qëndron te trajneri Ergys Luga, të cilit iu besua ekipi për pjesën e mbetur të sezonit. Akoma për të mungon fitorja e parë.
PANORAMASPORT.AL













