Paguhen 180 mijë euro borxhe, Vllaznia bën plane për merkaton. Por FIFA i lë shkodranët në pritje
Merkatoja e Vllaznisë është zhbllokuar dhe tashmë klubi shkodran ka dritën jeshile për të afruar lojtarë të rinj. Një lajm pozitiv për ambientin kuqeblu, që i hap rrugë përforcimeve të nevojshme në prag të fazës vendimtare të sezonit.

Zhbllokimi i merkatos u konfirmua edhe nga trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, në konferencën për shtyp pas fitores minimale 1-0 ndaj Egnatias. Tekniku kuqeblu u shpreh se situata është normalizuar dhe klubi tashmë mund të veprojë lirshëm në tregun e transferimeve.
Synimet e stafit teknik janë të qarta: afrimi i një mbrojtësi dhe i një mesfushori, me qëllim kompletimin e skuadrës dhe rritjen e konkurrencës në çdo repart deri në fund të edicionit. Sipas asaj që mësohet nga gazeta, pengesa kryesore për merkato kishte të bënte me detyrime financiare në vlerën e rreth 180 mijë eurove. Këto detyrime tashmë duket se janë shlyer nga klubi kuqeblu, duke i hapur kështu rrugë zyrtarisht afrimeve të reja. Me merkato të zhbllokuar dhe objektiva të qarta, Vllaznia pritet të jetë aktive në ditët në vijim, në përpjekje për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese për vazhdimësinë e sezonit.
FIFA – “Dritë në fund të tunelit” për Vllazninë. Duket se klubi shkodrat ka nisur të shlyejë borxhet, për të hequr sanksionet nga FIFA. Në faqen zyrtare të organit më të lartë të futbollit në botë, shihet se nga 4 çështje që ishin hapur më herët, tashmë kanë ngelur vetëm 2, pasi dy prej tyre janë mbyllur me sukses.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













