“Osmani afroi te Vllaznia lojtarë që…”, Brdariç i rrëfen të gjitha: S’e di nëse qëndroj në Shkodër
Thomas Brdariç ka qenë së fundmi i ftuar në studion e “TV1 Channel” në Shkodër. Trajneri gjerman, në një rrëfim dhe analizë për sezonin e Vllaznisë, ka theksuar se ekipi ka bërë gjëra pozitive. Ndër të tjera, numri një i pankinës kuqeblu ka “zbuluar” edhe pikat e forta e të dobëta të skuadrës së tij, teksa ka komentuar edhe situatën e disa futbollistëve të veçantë te shkodranët.

I ngacmuar për titullin kampion, ai nuk fshihet, por duke qëndruar me këmbë në tokë, ku tregon se Vllaznia e ka si synim titullin, kjo për të gëzuar jo vetëm ata që janë dhe punojnë në klub, por gjithë tifozët në mbarë Shkodrën.
Sa i kënaqur jeni për këtë finale të sezonit të rregullt? Jam shumë i kënaqur dhe krenar, sepse ishte një sezon i vështirë, ku kishim përballë ekipe të forta që nuk na e bënë kurrë të lehtë. Ia arritëm qëllimit të ishim në dy vendet e para në fund e tashmë duhet të shohim sërish përpara. Kemi ende edhe diçka të fundit për të bërë, sepse sezoni ende s’ka mbaruar.
E mbyllët me një barazim ndaj Laçit, si e komentoni? Kishim një grumbull ndeshjesh përpara. Luajtëm 3 ndeshje brenda një jave dhe jam i kënaqur me çunat për atë çfarë dhanë ndaj Laçit. Edhe motivimi ndoshta nuk ka qenë në kulm, por nuk kam asnjë kritikë për atë ndeshje, sepse nuk ndikoi aspak në ecurinë dhe të ardhmen e ekipit.
Ngelet një “peng” eliminimi nga Kupa ndaj Dinamos? Të vjen pak keq, sepse ishte një ditë “jo” e jona. Dhe, për të arritur trofe, duhet të shmangësh këto ditë dhe situata. Ishte një pjesë e parë e “errët” për ekipin tonë, ndërsa në të dytën reaguam mirë. Por ndoshta ishte disi vonë. Me presidentin Xhaferri e kemi diskutuar më pas që, nëse do të kishte edhe 4-5 minuta të tjera, ne do e barazonim sfidën në ritmin që kishim.
Do t’i preferonit sërish blutë në duelet e “Final 4”? Nëse do të na qëllojë në gjysmëfinalen e kampionatit, do të jetë hera e shtatë brenda një sezoni që përballemi me Dinamon. Kjo do të ishte disi e çuditshme në opinionin tim. Por, megjithatë, nuk kam ndonjë preferencë për kundërshtarin që do të kemi përballë. Ne duhet të jemi të përgatitur për secilin nga kundërshtarët që do të kemi në gjysmëfinale.
Është kjo një formulë e drejtë? Ky është një eksperiment në Europë, sepse një formulë të tillë nuk e kam parë askund tjetër. Do të shihet nëse presidenti Duka dhe stafi i FSHF-së do të vendosin të vijojnë këtë sistem. Ai është një person i zgjuar dhe e di se çfarë mund t’i shërbejë më shumë apo më pak futbollit shqiptar. Për mua duhet të modifikohet dhe përmirësohet kampionati. Megjithëse këto janë diskutime të thella që kërkojnë analiza të detajuara dhe nuk mund të zgjidhen brenda një nate.
Po vlerësoni Dukën, por para pak javësh ai tha se falë kësaj formule Vllaznia po luan për kampion. Të drejta fjalët e tij? Ka raste që edhe unë jam politikan (qesh) dhe opinionet ndryshojnë me kalimin e kohës, sa majtas-djathtas. Ne kemi opinionet tona përsa i përket formulës dhe nuk mund të them janë të sakta apo gabuara. Por ky sistem të lejon të luftosh për titull, edhe nëse je në vendin e tretë apo katërt.
Ka qenë loja e Vllaznisë në nivelin e duhur këtë edicion? Gjithmonë më kujtojnë periudhën e parë kur isha këtu. Por nuk mund t’i krahasosh, sepse ishin futbollistë dhe kushte të tjera. Ne e merituam vendin e dytë në fund dhe besoj se u treguam të zgjuar gjatë sezonit për ta arritur atë. Duhet të kuptonim idenë e futbollit sulmues që u implikua shumë mirë. Megjithëse më vjen keq për golat e pësuar. Por besoj se jemi në balancë dhe kemi marrë maksimumin nga futbollistët tanë.
Pse nuk ka qenë aq “simpatike” Vllaznia siç kërkohet shpesh në Shkodër? Këtë sezon kemi futbollistë që nuk kanë luajtur shumë për tituj në karrierën e tyre. Këtë vit, drejtori teknik, Osmani, afroi në skuadër lojtarë të cilët u “fituan” hap pas hapi dhe ne hymë në rrugën e duhur me ta. Të gjithë komponentët nga futbollistët, stafi dhe drejtuesit ishim në unison për të arritur këtu ku jemi.
Pjesa e parë e sezonit shumë më pozitive sesa pjesa e dytë e sezonit për skuadrën sipas edhe statistikave. Pse ky fakt? Nuk dua të ankohem për kushtet e stërvitjes dhe fushat. Kur nuk ke një fushë të përshtatshme, duhet të sakrifikosh. Dëgjoj gjithmonë se të gjithë kanë këto kushte në Shqipëri. Por, nëse do të ecësh para, duhet të përmirësosh kushtet. Kjo bën diferencën në cilësi dhe për të arritur gjëra të mëdha.
Thatë që drejtori Osmani është përgjegjësi kryesor për afrimin e lojtarëve, por a nuk kishte një bashkëpunim me ju për këtë pjesë? Patjetër që kemi diskutuar, por është një shprehje që dy kuzhinierë është e vështirë të punojnë në një kuzhinë. Por trajneri, drejtori dhe presidenca kanë përgjegjësi mbi skuadrën. Ne kemi besim te futbollistët që kemi aktualisht në skuadër e po ashtu të kemi edhe fatin me vete. Gjithçka është e hapur dhe jemi gati për hapin e madh.
Një lojtar që ndoshta meriton notën 10 nga merkato? Si trajner, unë nuk mendoj shumë për merkaton apo ndonjë futbollist në veçanti. Unë duhet t’i mbaj të motivuar të gjithë, me një plan të mirëfilltë për sezonin. Prandaj, për mua të gjithë janë njësoj dhe një notë pozitive shkon për të gjithë skuadrën në përgjithësi dhe jo një individ në veçanti.
Si e krahasoni ekipin tuaj me rivalin kryesor, Egnatian? Prej 3-4 vitesh, Egnatia ka një bazë futbollistësh dhe ka ndërtuar një ekip të fortë. Nga ana tjetër, ne kemi një grup që e kemi ndërtuar këtë sezon. Por kemi ekip të fortë dhe konkurrues e nuk jemi aspak pas rrogozhinasve. Unë kam qejf të punoj te Vllaznia dhe të jem në zonat e larta të renditjes, duke luftuar për tituj kundër ekipeve më të forta.
Çfarë ka Vllaznia më shumë se Egnatia apo Dinamo? Historinë, traditën dhe tifozët. Megjithëse Egnatia me investimet në stadium dhe infrastrukturë ka bërë gjëra të mira për futbollin shqiptar dhe duhet vlerësuar. Po ashtu, Dinamo është një ekip i fortë dhe ne jemi të gatshëm t’i rivalizojmë dhe t’i mposhtim, sepse është kënaqësi të jesh mes më të mirëve të kampionatit
Si dilet kampion, formula juaj? S’ka ndonjë formulë, ne duhet të lutemi. Të lutemi dhe të vijojmë këtë ëndërr. Por për mua, gjithçka është një investim dhe kur investon arrin te suksesi. Asgjë nuk vjen rastësisht, por e rëndësishme është të ëndërrojmë dhe besojmë deri në fund për diçka speciale, për të arritur diçka të madhe që nga dita e parë ku kemi nisur stërvitjen e deri në momentin e fundit. Nuk ka ndonjë “shkencë” të madhe në këto momente. Por gjërat bazike dhe të interpretojmë siç duhet këto dy javë që kemi përpara.
Po nëse Vllaznia nuk shpallet kampione? Jeta vazhdon, sepse askush nuk vdes. Por do të ishim të mërzitur, sepse nuk do të arrihej një objektiv. Prandaj në jetën dhe karrierën time jam mësuar të arrij objektivat e caktuara. Këtë gjë dua ta transmetoj te djemtë në dy javët dhe dy ndeshjet e ardhshme.
Çfarë po ndodh me Stojanoviç dhe Juriç? Stojanoviç nuk ishte kundër Laçit, sepse kishte një dëmtim. Nëse do të jetë në formë fizike të mirë, patjetër ai do të jetë në ndeshjet e “Final 4”. Nuk ka asnjë çështje rreth tij dhe ai është pjesë e skuadrës. Përsa i përket Juriç, nuk jam njeriu i duhur për t’u përgjigjur. Nuk kam asgjë kundër tij dhe gëzoj respekt, por nuk jam personi i duhur të jap një përgjigje rreth kësaj teme.
Një fitore e Vllaznisë këtë sezon mund të konsiderohen Dodaj dhe Jukaj apo jo? Patjetër që po dhe ne duam të sjellim të tjerë të rinj në të ardhmen që t’i shërbejnë klubit. Ata stërviten mirë çdo ditë, kanë qejf të përmirësohen dhe më pëlqen që më dëgjojnë. Vetëm kështu përmirësohesh, duke i mbajtur në kokë ato çfarë të thuhen dhe jo duke i nënvlerësuar.
Çfarë ndodh nëse Vllaznia nuk ia del? E mbani ju përgjegjësinë? 100% që po. Futbollistët e mi e dinë që më kanë mua mburojë të parë. Kam shpatullat e forta dhe di t’i përballoj situatat si pozitive e po ashtu ato negative. Por ne po punojmë dhe mendojmë për rezultate pozitive. Atmosfera është e shkëlqyer dhe motivimi është i jashtëzakonshëm. Dua ta fitojmë këtë për Shkodrën, tifozët, ekipin dhe presidencën. Besoj se, po të shpallemi kampionë, do u bëhej qejfi shumëkujt në Shqipëri.
Do të jetë sërish Brdariç te Vllaznia sezonin tjetër, si me titull apo edhe pa titull? Nuk kam një përgjigje, mund të them po edhe jo. Megjithatë nuk e kam fokusin aspak aty, fokusi është vetëm te ndeshjet e radhës. Mua më pëlqen në Shkodër gjithçka, kam qejf të jetoj këtu. Por, për të ardhmen, kemi kohë për ta diskutuar në javët që do të vijojnë.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













