“Objektivat e Elbasanit dihen”, lideri Musta: Peng kemi Egnatian, duam tri pikët me Dinamon
Elbasani po përgatitet për një nga sfidat më të rëndësishme të këtij fillim sezoni, ku përballë do të ketë Dinamon. Një ndeshje që pritet të tërheqë edhe vëmendjen e publikut, pasi verdheblutë janë rikthyer me ambicie të mëdha në elitën e futbollit shqiptar, për më tepër që me blutë kanë ende disa “llogari” të hapura që nga edicioni i kaluar.

Situata në kampin verdheblu është e qetë, edhe për faktin se kanë bërë një nisje të mirë dhe presin që pak e nga pak të arrijnë në konsolidimin total të grupit. Para ndeshjes, mbrojtësi i skuadrës, Emiliano Musta, ka dhënë prononcimin e tij për mediat, duke u shprehur i kënaqur me nisjen e kampionatit, por edhe i vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit.
MUSTA – Për Mustën, mënyra se si ka nisur ky sezon është një sinjal pozitiv për skuadrën. Elbasani ka treguar se ka cilësi për të konkurruar. Edhe pse mund të kishin marrë më shumë në duelet e para, mbrojtësi thekson se ajo që ka rëndësi është vazhdimësia dhe fakti që ekipi po gjen identitetin e tij. Rezultatet në nisje nuk janë vendimtare, por tregojnë një prirje të qartë për rritje.
“Mund të them se është një start i mirë i kampionatit, edhe pse kishim mundësinë që në ndeshjen me Egnatian të merrnim tri pikët. Megjithatë, llogaritë e pikëve do të bëhen në fund dhe besoj se ekipi është në rrugën e duhur”, u shpreh fillimisht 33-vjeçari i skuadrës së Elbasanit, një nga futbollistët më me eksperiencë të këtij ekipi.
OBJEKTIVI – Ky vlerësim i Mustës tregon bindjen se Elbasani ka kapacitet për të qëndruar në garë. Edhe pse rruga është e gjatë, mbrojtësi thekson se grupi është duke fituar ekuilibrin e duhur dhe mund të luftojë me çdo kundërshtar. Ambicia është e qartë: Elbasani kërkon të rikthehet në Europë. Duke parë organizimin e klubit, afrimet në merkato dhe dëshirën që grupi po shfaq në fushë, Musta beson se ëndrra europiane mund të bëhet realitet.
“Normalisht që qëllimi i çdo ekipi që merr pjesë në garë është që të mbajë sa më gjatë vendin e parë apo vendin që të dërgon në Europë. Shpresojmë që të qëndrojmë sa më shumë dhe deri në fund në vendet lart tabelës. Objektivat dihen, ku kërkojmë të jemi pjesë e ekipeve që shkojnë në Europë dhe besoj dhe shpresoj që do t’ia arrijmë këtë sezon”, vijoi më tej Emiljano Musta.
DINAMO – Përballja me Dinamon është një test i vërtetë për Elbasanin. Skuadra kryeqytetase vjen me eksperiencë ndërkombëtare dhe me një grup lojtarësh të konsoliduar, çka e bën ndeshjen edhe më të ndërlikuar. Megjithatë, Musta nënvizon faktin se loja do të zhvillohet në “shtëpinë” e Elbasanit dhe kjo mund të jetë një armë shtesë për verdheblutë.
“Patjetër që është ndeshje e vështirë dhe Dinamo e ka treguar që luan futboll cilësor. Duke marrë parasysh që kanë luajtur edhe disa ndeshje në Europë, kanë një ritëm tjetër dhe kanë më shumë ndeshje në këmbët e tyre. Por, ne jemi në fushën tonë dhe do të bëjmë maksimumin të dalim me tri pikët. Shpresoj që këtë herë të jemi ne ‘macja e zezë’ e Dinamos”, mbylli prononcimin e tij Musta, i cili ndaj bluve pritet të mbajë edhe shiritin e kapitenit në krah, pas mungesës për arsye kartonësh të Bruno Lulajt.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













