“Nuk m’u dëgjua fjala”, intervistë e bujshme e Sokol Haxhisë për Partizanin! Ish-drejtori: Më dukej fantashkencë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2026 | 22:39

“Nuk m’u dëgjua fjala”, intervistë e bujshme e Sokol Haxhisë për Partizanin! Ish-drejtori: Më dukej fantashkencë

Sokol Haxhia ka folur për periudhën e kaluar te Partizani, si u rikthye te “demat” dhe largimin i tij si drejtor teknik. Aventura niste rreth një vit më parë, ndërsa zgjati deri në korrik kur erdhi eliminimi nga Kalju në Ligën e Konferencës. Në “TopCast” tregoi çfarë nuk shkonte sipas tij te Partizani.

Screenshot 2026-04-10 153511

Si erdhi oferta për t’u bërë drejtor i Partizanit?

Kisha gati 2 vjet që vija në mënyrë stabil këtu në Tiranë. Dhe më kontaktoi presidenti Demi. Kur ramë dakord që fillova punën dhe fëmijët e mi e morësh vësh, është diçka e bukur. Që ikën nga Shqipëria dhe je pjesë e Partizanit, më pas kthehesh dhe e fillon prapë aty ku e ke lënë. Edhe emocionale se unë jam rritur te Partizani. Më kontaktoi presidenti, folëm për 2 javë, shikonim ndeshjet bashkë dhe diskutonim. Dëshironte të shikonte edhe personin tim, çfarë mund të jepja. Dhe pse Shqipëria është e vogël, me 4-5 persona e merr gjithë informacionin për kë ke përballë. Dhe pastaj fillova punën.

E ke marrë Partizanin në një nga momentet më të vështira…

Po, kam filluar te Partizani në mars vjet. Kishte 1 muaj që ishte larguar trajnerin që kishin dhe ishte vendosur drejtori sportiv Abilaliaj si trajner i ekipit. Ishte një moment që skuadra po rrezikonte pjesëmarrjen në katërshe dhe kishte arritur gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Kur fillova unë, pas pak ditësh bëmë zgjedhjen që morëm trajnerin Gega. Dhe aty zhvilluam fundin e kampionatit, gjysmëfinalet e Kupës, derisa shkuam në Final Four dhe zumë vendin e tretë.

Rikthimi i Skënder Gegës?

Presidenti pyeti disa, se kur kam qenë unë te Partizani ishte Olsi Rama si drejtor i përgjithshëm, drejtori sportiv dhe unë që isha drejtor teknik. Plus kishte shumë këshilltarë që e rrethonin presidentin. Në diskutim e sipër u arrit në mënyrë të përbashkët, që trajneri që mund të bënte për Partizanin në atë moment ishte një që njihte ambientin. Dhe pse jo një trajner me eksperiencë, CV-në dhe karizmën e Skënder Gegës.

Cilët janë këshilltarët e presidentëve në kampionatin tonë?

Unë në shumë skuadra këtu shoh që presidentët vetë janë të rrethuar nga miq, shokë të vjetër, ndonjë ish-futbollist i skuadrës ku janë president. Ndodh e kundërta e asaj që kam parë në Itali ku ekziston një staf teknik dhe për çdo zgjedhje ato përgjigjen. Dmth nëse shkon puna keq, janë ato të parët që rrezikojnë vendin e punës. Ose nëse shkojnë gjërat mirë, janë ato që marrin edhe lëvdatat më të mëdhaja. Këtu në Shqipëri, këshilltarët rreth presidentit hedhin llafin. Ti duhet të zgjedhësh të bësh atë që thonë ata, dhe në fund farë nëse nuk vjen rezultati është drejtori, trajneri apo drejtori i përgjithshëm që kanë gabuar për opinionin publik.

Sa i lirë ke qenë për të bërë punën tënde si drejtor?

Në momentin që fillova te Partizani, skuadra ishte e bërë. E vetmja gjë që u mundova të bëj, së bashku me trajnerin, të mbanim grupin e bashkuar. Punova më tepër nga ana psikologjike me ato lojtarë, që në fund fare do na bënin edhe diferencën në fushë. Kurse punën si drejtor, dmth te zgjedhjet e mia, nuk m’u dha shumë kohë. Merkato filloi më 1 qershor, unë arrita të afroj 3 lojtarë. Bëra një punë të madhe, që për mendimin tim kisha zgjedhur dhe lojtarë të tjerë shumë të mirë, por siç thashë. Kur ka rryma brenda klubit dhe nuk përputhen idetë me të miat, preferova që kur iku dhe Skënder Gega, nuk kishte kuptim të vazhdosh punosh dhe të mos dëgjohet fjala. Në fund, nëse gjërat shkojnë gabim je ti drejtori teknik. Dmth dhe te zgjedhjet. Ishte eksperiencë e parë, nuk e konsideroj negative. Përkundrazi, më ka vlejtur dhe për të njohur disa situata dhe ambiente në futbollin shqiptar, që më dukeshin fantashkencë po të mos isha brenda. Por, kjo është Shqipëria.

Sa e vështirë të përshtatesh me këto “lojërat” që ndodhin në futbollin shqiptar?

Nga ana ime, nuk jam i huaj. Dhe pse kam ndejtur mbi 30 vite në Itali, unë jam shqiptar. E njoh mentalitetin shqiptar. Nuk e njihja si mund të funksionojë brenda një klubi, por jam i idesë që një president kur thërret një drejtor ose trajner, duhet t’i japë objektiva. Për shembull: ‘Dëgjo Sokol, unë prej teje dua të shikojmë në Kupat e Europës, të promovojmë lojtarët e rinj, të bëjmë merkato duke shitur lojtarët që të mbajmë ekipin’. Dhe të lejojnë të punosh për të bërë këtë gjë që kërkojnë. Mendoj se nuk është diçka që nuk bëhet. Mjafton të vendosësh pikat mbi “i” që në fillim dhe nuk është gjë e vështirë. Nuk është e vështirë kur organizohesh dhe punon.

Çfarë nuk shkon te Partizani?

Te Partizani për mendimin tim, presidenti Demi është një nga presidentët që shpenzon dhe krijon kushtet. Unë jam rritur nga ana profesionale e futbollit në Itali. Kushtet që ka te Partizani, i gjen dhe në kategoritë profesioniste në Itali. Si një klub i Serisë B. Shpenzimet e atij presidenti kundrejt klubit janë shumë të mëdha. Është një person, që t’i krijon të gjitha kushtet e mira për të punuar, por vështirësia ime ishte që shumë persona përreth presidentit… Detyra ime si drejtor ishte… unë shkoja në 9 e gjysmë në klub dhe dilja nga klubi, pasi djemtë kishin ngrënë darkën. Me presidentin flisnim në fillim, deri në momentin kur kuptoi çfarë pune mund të bëja unë. Unë kisha idetë e mia se një klub duhet të mbahet nga shitjet e lojtarëve, dhe duhet të kesh kujdes edhe nga blerjet që bën. Një nga punët që bëmë te Partizani, kemi larguar në muajin maj mbi 12 lojtarë që nga ana monetare i kushtonin shumë klubit. Në atë periudhë u munduam se nuk po na jepnin “ok” për të marrë lojtarët që si numër na duheshin. Dhe morëm shumë lojtarë nga akademia dhe i promovuam. Çelsi i suksesit të një klubi, sidomos si Partizani, mjafton të shikosh në vendet fqinje në Ballkan. Çfarë ka bërë Steaua e Bukureshtit, Dinamo e Zagrebit dhe Partizanit i Beogradit që janë skuadra që luftojnë për titull. Kanë gjithmonë 4-5 lojtarë të rinj të talentuar, që në disa momente të caktuara të kampionatit, t’i hedhësh në fushë. Duke i hedhur në fushë, i ke hedhur në treg. Një nga idetë e mia është kjo, që në Shqipëri pak presidentë kanë shijuar atë guston e fitimit nga futbolli. Për mua, presidentët e klubeve në Shqipëri, në këtë situatë që ndodhet futbolli sa i përket të ardhurave, janë heronj. Marrin lekët nga biznesi i tyre dhe familja, edhe i hedhin në ekip. Kjo gjë, pas njëfarë kohe dhe të lodh. Je gjithmonë duke dhënë. Ne vërtetë shesim lojtarë, por Shqipëria mund të ketë shumë më tepër mundësi për të shitur lojtarë. Duhet ndryshuar mentalitet sepse në gjithë botën po të shohësh skuadrat e nivelit të mesëm ose që luftojnë të mos bien nga kategoria, mosha më e madhe e lojtarëve është 24 vjeç. Ata do të mbijetojnë duke shitur lojtarë, këtë gjë në Shqipëri e kam parë që në njëfarë pike e bën Bylisi. Katër apo pesë skuadra të tjera luftojnë për të dalë kampionë, dy apo tre për të mos rënë nga kategoria.

A ka në kampionatin tonë një president që merr vesh nga futbolli?

Që të marrësh vesh nga futbolli duhet ta kesh luajtur dhe ta kesh jetuar. Ka disa dinamika brenda një skuadre. Dhoma e zhveshjes, grumbullimet, ndeshjet e forta dhe dobëta. Një person që nuk e ka jetuar, i duhet kohë. Çdo gjë në jetë mësohet, nuk është se nuk mësohet. Për shembull, një president që për mendimin tim është shumë i përgatitur dhe nga ana e organizimit të skuadrës është Takaj i Skënderbeut. Dhe në biseda, një tjetër president që më ka lënë shumë mbresa është Koço Kokëdhima i Apolonisë. Janë disa presidentë, që kur flet kanë filozofinë e tyre. Ne kemi presidentë që janë ndërtues. Nuk është se presidenti do marrë vesh si ndërtohet palllati, merr arkitektin dhe inxhinierin. Kështu duhet të funksionojë dhe në skuadrën e futbollit. Kur ndërtohet një pallat, nuk është se i thotë shoku i presidentit: ‘Bëje kështu, me shtatë kate apo dy kate’. Është inxhinieri apo arkitekti që vendosin. Kështu duhet të funksionojë edhe në futboll.

Te cili ekip mendon se mund të negociosh më thjesht për modelin që mendon. Se te Partizani u provua, por…

Jam gjithmonë i idesë që politikën ose zgjedhjen e një drejtori, dhe atë që do ndjekë drejtori, varet shumë nga çfarë dëshiron presidenti. Për shembull Partizani është klub që njihet në gjithë Europë, edhe Tirana, Flamurtari apo Vllaznia. Egnatia ka bërë diçka kolosale në vitet e fundit. Por duhet të shohësh që në të ardhmen, dmth politikat që do ndjekin këto klube. Unë te puna ime nuk jam tifoz me asnjë, edhe pse jam lindur e rritur te Partizani dhe nuk mund ta mohoj. Por me punën që unë bëj, ti bën tifo për ku ke interesat e tua.

PANORAMASPORT.AL