Tabeku “me grip”, Tirana me stërvitje “të hekurt”
Përgatitja e Tiranës ka vazhduar me ritëm të lartë, ndërkohë që trajneri Dean Klafuriç është munduar që të rrisë ritmin e stërvitjes. Problemi mbetet te disa lojtarë të grupit, të cilët janë ende larg formës optimale dhe mbi peshë.

Për ta po shihet mundësia e një trajtimi special. Gjatë të enjtes, stërvitja ka vazhduar normalisht, ndërsa problemi i ditës së djeshme ka qenë Serzh Tabeku. Lojtari ka qenë me grip dhe është larguar menjëherë nga grupi për të mos infektuar shokët e skuadrës. Skuadra do të vazhdojë sot me dy stërvitje, ndërsa të shtunën do të ketë një test brenda grupit ku trajneri kroat do të vlerësojë gjendjen e secilit futbollist.
MERKATO – Serzh Tabeku është një xhevahirët e merkatos. Opsionet për të nuk kanë munguar asnjëherë, por këtë verë duket se situata tani është pak më ndryshe dhe belgu mund tëshitet. Veç të qenit golashënuesi më i mirë i Tiranës, lojtari është një sulmues i kompletuar. Kartoni i tij vlen 350 mijë euro, ndërsa luan në çdo pozicion të sulmit. Para ekipit të Tiranës, Tabeku ka veshur edhe 11 fanella të klubeve të tjera.
SEZONI – Serzh Tabeku ishte një nga lojtarët më të angazhuar të Tiranës sezonin e kaluar, duke kontribuar në dy kompeticionet, Kategorinë Superiore dhe Kupën e Shqipërisë. Sulmuesi bardheblu u aktivizua në 37 ndeshje, duke grumbulluar plot 3042 minuta lojë dhe arriti të shënojë 9 gola. Shifrat tregojnë një prani të vazhdueshme në formacion, me Tabekun që ishte një alternativë e rëndësishme për repartin ofensiv të skuadrës.
Pavarësisht konkurrencës dhe vështirësive të sezonit, ai arriti të ruajë vazhdimësinë në fushë, duke dhënë kontribut me golat e tij dhe me punën në fazën sulmuese. Numri i lartë i minutave të zhvilluara tregon besimin e stafi t teknik dhe rolin që ai pati në skuadrën bardheblu. Me 9 gola të shënuar në kampionat dhe Kupë, Serzh Tabeku e mbylli sezonin si një nga lojtarët me më shumë prezencë në ekip, duke lënë pas një edicion me shumë angazhim dhe përgjegjësi.
PANORAMASPORT.AL













