Plani i ri për emërimin e Jurgen Klop, zbulohen të gjitha detajet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2026 | 20:15

Plani i ri për emërimin e Jurgen Klop, zbulohen të gjitha detajet

Presidenti i DFB, Bernd Nojendorf, dhe drejtori ekzekutiv i Bundesligës, Hans Joakim Vatzke, do të zhvillojnë këtë fundjavë një takim në Nju Jork me trajnerin e ardhshëm të përfaqësueses gjermane, Jurgen Klop. Pas vendimit që drejtori sportiv Rudi Fëler të vazhdoj punën përkrah 59 vjeçarit, po marrin formë edhe detajet e tjera të projektit të ri të kombëtares. Që drejtuesit e futbollit gjerman kanë rënë unanimisht dakord për emërimin e Jurgen Klopit si pasues i Julian Nagelsman është bërë e qartë që në fund të javës së kaluar.

klop

Revista “Kicker” raportoi të dielën se ish trajneri do të marrë me vete bashkëpunëtorët e tij të kahershëm, Peter Kravietz dhe Pepin Lijnders. Tashmë janë finalizuar edhe detaje të tjera përpara negociatave. E sigurt është se trajneri i portierëve, Andreas Kronenberg, do të vazhdoj detyrën e tij. Gjithashtu ekziston mundësia që Hanes Volf, ish bashkëpunëtor i Klop te Dortmundi dhe aktualisht drejtor i zhvillimit të futbollit të të rinjve në DFB, të marrë një rol më të rëndësishëm.

Pas Nojendorfit dhe Vatzkes, javën e ardhshme në Nju Jork do të udhëtoj edhe drejtori ekzekutiv i Red Bullit, Oliver Mintzlaf. Tashmë janë zhvilluar bisedime paraprake lidhur me çështjet kontraktuale. Kontrata e Klop me Red Bullin është e vlefshme deri në vitin 2029. Ajo nuk përmban klauzolë lirimi, por vetëm një marrëveshje për ndërprerjen e kontratës.

Sipas raportimeve, grupi Red Bull favorizon një zgjidhje sipas së cilës Klop do të vazhdoj të jetë ambasador i markës edhe pasi të marrë drejtimin e kombëtares gjermane, në vend që DFB të paguaj një shumë transferimi. Kjo mund të duket befasuese në pamje të parë, por Klop përfaqëson markën Red Bull dhe jo ndonjë klub të caktuar. Për Federatën Gjermane të Futbollit, kjo duket të jetë zgjidhja ideale: pas daljes së parakohshme të Gjermanisë nga Kupa e Botës, turneu rezultoi me humbje financiare për DFB, ndërsa largimi i Nagelsman pritet të kushtoj disa milionë euro si dëmshpërblim.

Një tarifë transferimi për pasuesin e tij do të krijonte një barrë tjetër të konsiderueshme financiare. Bisedimet paraprake për dy takimet në Nju Jork janë zhvilluar dhe ndodhen në një fazë shumë të avancuar. Pas përfundimit të tyre, pritet që trajneri i ri i kombëtares gjermane të nënshkruaj një kontratë deri në Kupën e Botës 2030.

KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL