“Nuk kisha dëgjuar asnjëherë për Kaljun”, Gega para sfidës së kthimit: Mehmeti qendërmbrojtës, por dëshiron të luajë 10-sh. Më surprizoi Egnatia
Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, është shfaqur sot në konferencën për mediat duke folur për sfidën e kthimit ndaj Nome Kalju. Trajneri theksoi se ekipi ishte i përgatitur të bënte më mirë se në ndeshjen e parë, pasi dinte më shumë forcën e kundërshtarit, por edhe të vetën.

“Situata? Përveç Kekos që është një mungesë e madhe për ne, të them të drejtën se kohët e fundit ka qenë aktiv, ka dhënë impakt dhe ka dhënë kontribut në ndeshjet e fundit. Patjetër kemi lojtarë të tjerë ta zëvendësojnë se është e pamundur të mos jemi të përgatitur, por të vjen keq që në ndeshjen e parë në Kupa, është dëmtuar. Kjo i takon diçkaje që nuk mund të kthejmë mbrapsht. Pjesa tjetër ka qenë e shëndetshme, kemi pushuar, kemi bërë analizën e ndeshjes së kaluar, jemi munduar me detaje, në grupe, por edhe me pozicione të ndryshme t’i sqarojmë se kemi pasur dobësi si çdo ekip tjetër. Sot është seanca e fundit stërvitore. Patjetër, pa optimizëm nuk shkohet në asnjë vend në futboll. Jemi me shans se kemi ndeshjen e dytë, e kemi përpara publikut e tifozëve tanë. Shpresoj dhe besoj se do të bëjmë më të mirën.
Merkato për mungesën e Kekos? Edhe shtëpia që ndërtohet nuk mbaron menjëherë, nuk mbaron kurrë. Klubi po punon, do të shohim edhe në këto ndeshje, por edhe për të ardhmen ku mund të korrigjohemi e të përmirësohemi. Nuk besoj se ka njeri sot që mendon se Partizani nuk ka nevojë të përmirësohet. Për çdo gjë do të koordinohemi me klubin e marrim bazën, nxjerrim konkluzione teknike ku mund të përforcohemi, në bashkëpunim me klubin e suportin e presidentit. Duhet të bëjmë gjërat me korrektësi e maturi se duhet të jemi të kujdesshëm, ai që do të vijë duhet të bëjë diferencën në krahasim me këta që kemi, se përndryshe do të jetojmë, punojmë e bëjmë maksimumin me këta që kemi.
Forca e Kalju? Unë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë këtë ekip, nuk kam qenë në fokus apo i interesuar për këto klube, gjithmonë kam qenë për pjesën e Shqipërisë për klube apo kombëtare, dhe kur ka rënë shorti, jam munduar që të gjej informacion. Ndryshe nga vazo, nga ajo që është folur, unë duke qenë me këmbë në tokë, në momentin e parë që e kam parë në ndeshje, kam parë që është ekip i konsoliduar e luan mirë futboll. Jam munduar që ta injektoj edhe te lojtarët, por gjithmonë kur ballafaqohesh direkt në fushë, e sheh saktësisht më afër dhe je më i qartë për kundërshtarin. Ndeshja e parë na ka treguar shumë gjëra, e njohim më mirë dhe në këtë ndeshje, kemi mundësinë që gabimet që kemi bërë në ndeshjen e parë, të mos i bëjmë më. Por patjetër shoh entuziazmin, plus arma jonë është grupi, nuk veçoj asnjë. Do të mundohemi të gjithë të jemi 99 minuta fokus, plus shtesat e të tjera që duhet të japim nga vetja jonë, se e kemi detyrim. Por asgjë nuk mund të parashikohet. Ajo që parashikoj është që çdokush do të japë 100% që të marrim maksimumin që është kualifikimi.
Unë mendoj se kishim pjesë të mira tonat atje, do mundohem t’i përforcoj. Jo të mirat, momentet që pësuam edhe golin, jam munduar të punoj gjatë javës edhe me video e detaje me secilin. Në kampionat ata janë në mes, e kemi parë tre ndeshje të tyre drejtpërdrejt. Kam qenë i qartë që nuk është e lehtë, por është pjesa jonë në fushën tonë e publikun tonë. Ai 90 minutësh na dha pak me shumë ide, se nuk kishim minuta në këmbë, se në miqësore kishim përdorur dy 11-she. Koha ka qenë e shkurtër, por u bënë ditë me ekipin. Javët e fundit të kampionatit dhe “Final Four”, një pjesë e ka arritur dhe në detyra janë solid. Ndaj në ndeshjen nesër besoj se do të jemi më mirë.
Lojtarëve u kërkova gjërat normale, si gjithmonë. Edhe në kampionat duhet të jemi të fokusuar. Kjo është ndeshje specifike, të ruhen balancat se po na rrëmbeu entuziazmi, të luajmë me te, pa dalë nga detyrat taktike. Për mua është e rëndësishme. Edhe unë kam dëshirë të luaj në sulm, me 7 sulmues, por duhet të kemi balancë në ndeshje. Patjetër t’i japim liri njerëzve që shkojnë më mirë në zona të ndryshme, por gjithmonë është lojë në grup. Në momente të vështira duhet të bëjmë sakrifica, në të dy aspektet. Nuk është Preka, apo kushdo qoftë vendimtar, por të gjithë bashkë. Do luajmë në bazë të detyrave. Kemi edhe një grup tjetër që pret shansin e vet, shpresoj ta mbyll para 90 minutëshit, nuk kemi probleme fizike dhe nëse do bëjmë zëvendësime, do i besojmë se të gjithë janë pjesë e Partizanit e do të luajnë nëse është nevoja.
E mira nuk ka fund, secili ka kërkesa, asnjëherë nuk besoj se e kemi arritur, nuk kemi arritur asgjë. Nesër kemi ndeshjen e dytë, unë jam i kënaqur nga përkushtimi i lojtarëve, shoh çdo ditë që edhe mes nesh ka njohje, se trajneri ka kërkesat e veta. Jam munduat t’i jap një fokus e të jem i hapur me secilin. Kushdo ka pretendime, stërvitja është ajo që pasqyron nivelin teknik. Të gjithë e kanë shansin e vet, në mos këtë ndeshje, në vazhdim. Ndaj jam i kënaqur, është moshë e re, mosha mesatare është 23-vjeçare. Unë nuk kam frikë, njerëzit mund të kenë dilema, por një lojtar i ri në moshë, nëse ka parametrat fizike e nga mentaliteti nuk dorëzohet, nuk kam problem për ta aktivizuar. Në këtë moshë kemi luajtur të gjithë. Përgjegjësia e rezultatit qëndron, do të mundohemi të mos rëndojmë njerëzit që janë të brishtë, por të jem një miks, që të kemi eksperiencën, moshën e freskinë e këmbëve.
Roli për të cilin Sembene është marrë te Partizani është në qendër të mbrojtjes. Ai ka pasur luhatjet e veta. Në kohën që hyri në mesfushë, unë e kam parë të arsyeshme që lojtarë me atë element fizik aty kishin nevojë për muskuj në mesfushë, ndaj është futur. Pjesën më të madhe ka bërë mirë. Në Estoni nuk është se shkëlqeu se nuk është i veçuar, është edhe pjesa tjetër që ka rrotull. Jam i kënaqur. Mehmeti ndoshta ishte një risi, duke menduar elementët teknik që ka, për mua personalisht e bëri shumë mirë. Ai dëshiron të luajë 10-sh, por ndonjëherë është trajneri që cakton e zbulon elementët e mirë dhe të dobët. Ka luajtur qendërmbrojtës, nuk ka bërë gabime, ka luajtur mirë me topin, ka bërë një element për të cilin ne kishim nevojë, atë të nxjerrjes së topit. Vështirësia kanë qenë ndeshjet e pakta, se nuk e kemi njohur shumë mirë veten, 90 minutëshi ka qenë shumë domethënës për ne, ndaj nesër besoj se do të jemi më mirë.
Përforcimet në mesfushë? Nuk është lënë mesfusha për të ardhmen. Çdo repart ka nevojë për t’u përmirësuar. Preka është lider, por nëse vjen dikush për dublim, është garë mes Prekës dhe atij që vjen. Në mesfushën nuk e kemi lënë asnjëherë mangut, ka arsye pse luajnë, ka elementë që hyjnë në lojë e u besohet. Ulje-ngritjet janë të pranishme. Përveçse kemi guxuar, kemi dalë edhe në konkluzion, në të ardhmen do të shohim ku kemi nevojë të përforcohemi. Unë mendoj se çdo ekip, si Real Madrid e klube shumë më të mëdha, kanë nevojë të përmirësohen. E rëndësishme është nesër, dita e nesëme si përformojmë, është pasqyrë më e qartë se ku do të jemi.
Stërvitja te Shtëpia e Futbollit? Bari natyral nuk është si biçikleta që e blen 150 dollarë. Të jemi pak me këmbë në tokë dhe suport pozitiv. Më futët në një biznes që nuk më takon mua. Janë hedhur miliona dollarë në klub, që nuk ka asnjë klub tjetër. Bari është konsumuar se bëjnë shumë ekipe stërvitje atje. Për fat kemi shtëpinë tonë dhe kush vjen akomodohet, vishet bluza e bëhet pjesë. Fusha e këto janë investime që janë pjesë e klubit. Edhe FSHF është pjesë e jona, me suport e programe nga të dy anët. Ato bëhen krenarë për ne e ne për ta. Kanë gjetur gjuhën e përbashkët, na kanë dhënë ndihmesë, klubi është marrë vesh me to. I falënderoj se është investuar, por përveç fushës sintetike që në këtë temperaturë nuk është e përshtatshme dhe e shëndetshme, kjo është arsyeja.
Gjuajtësi i penalltisë? Sekret! Po të shohim. Keko ka bërë disa të tilla, siç kanë bërë shumë lojtarë. Patjetër ka lojtarë që nuk kanë kontribut si ai, por mund të gjuajnë një penallti. Për një apo për pesë? Për një do e zgjidhim. Alban Hoxha ndoshta, e futim nga stoli. E keni parë në penallti? (qesh)
Eliminimi i Egnatias? Kam qenë në grumbullim dhe dje e kam parë, kam qenë tifoz i Egnatias, të jem i sinqertë. Nuk ka asnjë kënaqësi të fitojnë islandezët. Jemi trajnerë, në kampionatin shqiptar jemi në garë, ka ambicie por të them të drejtën më surprizoi se me atë që pashë në ndeshjen e parë kishin mundësi të bënin më mirë. Por 5-0 është rezultat… i ndodhi Interit, PSG pasi doli Kampione Europe u shkërmoq në Amerikë. Por futbolli i ka të gjitha. Shpresoj të jetë aty pjesa më e keqe e Egnatias dhe çdo ekipi tjetër. Unë jam dashamirës i futbollit, kur fillon gara ka konkurrencë edhe mes vëllezërish. Por 5-0 ishte pak surprizë të them të drejtën për këdo që njeh Egnatian. Se si ka ndodhur e si kanë bërë zgjedhjet, nuk mund të flas”, tha ndër të tjera Gega.
PANORAMASPORT.AL













