“Nuk janë çmendur të gjithë arbitrat që nuk i japin penallti Partizanit”, ish-gjyqtari i Superiores i përgjigjet Veselinoviç: Nuk është as kjo ndaj Dinamos (VIDEO)
Ish-gjyqtari i Superiores, Klajdi Kola, duke bërë moviolën e derbit mes Partizanit dhe Dinamos, ka komentuar rastet e diskutueshme të kësaj sfidë, por edhe deklaratat e trajnerit Aleksandar Veselinoviç pas sfidës. Ky i fundit e cilësonte të çuditshme që në 22 javë nuk ishte dhënë asnjë penallti në favor të të kuqve, duke theksuar se nuk i kishte ndodhur asnjëherë më parë në karrierën e tij.

“I pari është goli i shënuar nga skuadra e Dinamos, ka pasur një pretendim për pozicion jashtë loje por asistenti në fushë ka lejuar sipas procedurës aksionin, është shënuar dhe më pas ka dhënë gol. Këtë e ka konfirmuar edhe sistemi VAR dhe në bazë të teknologjisë duket qartë që pozicioni është i rregullt dhe futbollisti i Dinamos është qartësisht brenda vijës.
Rast më i diskutueshëm është në fund të ndeshjes, pretendime për 11- metërsh nga skuadra e Partizanit, një dyluftim në zonë mes Zekës dhe Alijit. Kemi, në qoftë se do ta quajmë kontakt se për mendimin tim edhe nëse ka kontakt nuk është penallti. Për mendimin tim këmbët e të dy futbollistëve ulen njëkohësisht në tokë. Nëse do të kemi kontakt, kur shkojnë për të dyluftuar, futbollisti i Dinamos nuk e ka prekur kundërshtarin, nuk e ka penguar. Unë e kam parë 10 herë dhe pra e kam thënë që nuk kemi pengim. Futbollisti i Dinamos nuk e ka penguar. Të dy këpucët në tokë janë vendosur paralelisht, nuk kemi pengim. Patjetër që është kontakt normal, jo vetëm në zonë, por edhe në mesfushë, po nuk pat pengim, nuk kemi shkelje.
Bëhet fjalë per kontaktin poshtë, nuk kemi pengim lart, as poshtë nuk ka pengim dhe për këtë arsye nuk është thirrur gjyqtari Xhaja, i cili ka qenë në pozicion shumë të mirë për ta vlerësuar. Por gjykoj dhe mendoj që ka vepruar drejt se nuk kemi të bëjmë me pengim, duhet të ketë pengim që të ketë faull, jo çdo kontakt është faull.
Pretendimet e Veselinoviç për penalltitë? Gjykoj që ndërhyrjet e lojtarëve kanë qenë të pastra dhe që përveç arbitrave, nëse do kenë gabuar, kemi pasur dhe sistemin VAR. Tani këta nuk janë çmendur të gjithë këta arbitra që të mos japin penallti. Ose nuk kanë qenë, ose rastet do kenë qenë të diskutueshme që edhe ne javë pas jave i kemi evidentuar”, tha Kola për RTSH.
SHIH VIDEON
PANORAMASPORT.AL













