Nuk i ofruan rinovimin për sezonin e ri, Lika: U mesova me ngritje trofesh, Vorën e doja edhe në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2025 | 13:27

Nuk i ofruan rinovimin për sezonin e ri, Lika: U mesova me ngritje trofesh, Vorën e doja edhe në Superiore

Vora ka nisur lëvizjet e para në merkato, por ky proces zanafillën e ka te spastrimet. Deri më tani janë zyrtarizuar 3 largimet e para. Mbrojtësi Ysni Ismaili u transferua te Dinamo, ndërsa muaji i ri ka nisur me zyrtarizimin e dy largimeve të tjera, Gresild Lika dhe Odirah Ntepe. Likës, klubi nuk i ofroi rinovimin e kontratës, gjithsesi, ky largim nuk është pritur mirë nga mesfushori me tipare sulmuese.

gresild lika

Klubi e ka njoftuar largimin e Likës në faqen zyrtare në rrjetet sociale. Ja njoftimi i klubit: “Futboll Klub Vora njofton mbylljen e bashkëpunimit me lojtarin Gresild Lika. Klubi dhe lojtari kanë shtrënguar duart në fundin e këtij rrugëtimi. Falënderojmë Gresildin për kontributin e tij dhe i urojmë suksese në të ardhmen e tij”. Gresild Lika është një nga ata futbollistë që e ka ngritur trofeun e kampionit të Kategorisë së Parë, fillimisht me Skënderbeun dhe në sezonin e fundit me Vorën. Për “Panorama Sport”, Lika tregon sezonin me Vorën dhe si e priti largimin.

Si ishte ky sezon për Likën te Vora?

Kur shpallesh kampion në një skuadër, sigurisht që është një sezon fantastik. Të gjithë e dimë se Vora e meritoi titullin, që e siguruam dy javë përpara mbylljes së kampionatit, edhe pse s’e patëm të thjeshtë. Janë të rrallë lojtarët që ngrenë trofe kaq shpesh në Kategorinë e Parë. Së pari te Skënderbeu e tani tek Vora. Jam me fat, se vazhdimisht më ka qëlluar që në skuadrën ku unë luaj të ngre trofe. Këtë e kam arritur që kur isha fëmijë e luaja me moshat e Partizanit.

Te Vora e keni ndier ndonjëherë rivalitetin e pozicionit tuaj?

Rivaliteti është shumë i rëndësishëm në skuadër. Padyshim, kam pasur rival, por trajneri është ai që vendos se kush luan në njëjtin rol. Gjithsesi, unë gjithmonë e kam merituar vendin tim. Gjatë këtij sezoni kam pasur edhe luhatjet e mia, që erdhën si rezultat i dëmtimeve.

GRESILD LIKA VORA

Si e pritët largimin nga klubi i Vorës?

Sigurisht që nuk e kam pritur mirë, pasi dëshira ime ishte të luaja në Superiore me Vorën. Megjithatë, i uroj suksese Vorës në Superiore.

Ishit te Skënderbeu, e nxorët kampion dhe ju larguan. Erdhët te Vora, e nxorët kampion e përsëri i njëjti fat. Cila do të jetë e ardhmja,  keni një ekip për ta nxjerrë kampion sezonin e ardhshëm?

E po, ky ka qenë fati im. E thashë edhe më parë, se jam një lojtar që atje ku shkoj, kontribuoj që ata të dalin kampionë e kjo më bën krenar. Kam disa oferta për sezonin e ri, që vijnë nga Kategoria e Parë, por edhe Superiorja. Jam në shqyrtim e sipër për ofertën time më të mirë të mundshme.

A mund të zbulojmë se cilat janë ekipet që keni kontaktuar?

Për momentin mbetet sekret, pasi ende jemi në fazë bisedimesh.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL