“Nostalgji për Shkodrën”, Canaj pret një “sms” nga Vllaznia, Zmijani i refuzon
Vllaznia është në kërkim të trajnerit të ri. Pas largimit të teknikut Hasan Lika, drejtuesit e klubit kuqeblu janë vënë në kërkim të zëvendësuesit të tij. Pavarësisht se për momentin stërvitjet e kuqebluve po drejtohen nga zv/ trajneri Safet Osja dhe trajneri i portierëve Ideal Lekiqi, drejtuesit e klubit duket se nuk do të mbajnë gjatë skuadrën pa “timonier” të parë. Nga sa mësohet, ata kanë nisur menjëherë kontaktet për të gjetur zëvendësin e Likës.

Një nga emrat që i është propozuar të marrë drejtimin e skuadrës, është ai i trajnerit kampion në fuqi të ekipit U-19 të akademisë, Luan Zmijani. Burime të sigurta në klub bëjnë të ditur se Zmijanit i është bërë një ofertë konkrete për të marrë drejtimin e ekipit, por ai e ka refuzuar. Ato që nuk dihen janë shkaqet e këtij refuzimi. I kontaktuar nga gazeta “Panorama Sport”, Zmijani nuk ka dashur që të prononcohej për një çështje të tillë. Ai ka theksuar vetëm faktin se do të vijojë të jetë pjesë e ekipit të 19-vjeçarëve të Vllaznisë, të cilët edhe këtë sezon, synojnë të fitojnë titullin kampion.
CANAJ
Një nga emrat më të përfolur në merkaton e verës, para se tekniku Hasan Lika të merrte drejtimin e klubit kuqeblu, ishte edhe ish-trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj. Ai ishte një prej alternativave për t’u ulur në stolin shkodran në verën e shkuar. Megjithatë, tani pas largimit të Likës, duket se emri i tij po del sërish në skenë. Vetë tekniku pranon se deri në këto momente nuk ka pasur ndonjë ofertë konkrete apo telefonatë nga drejtuesit e klubit.

Por, nga ana tjetër, në prononcimin e tij thotë se do ta mirëpriste një ofertë të tillë. “Në këto momente nuk kam pasur asnjë telefonatë nga administratori Suad Lici apo drejtues të klubit. Në verë kemi pasur kontakte ashtu siç edhe kemi komunikuar me Likën apo edhe me Licin gjatë kësaj periudhe.

Unë do të thoja që pas Vlorës që është qyteti im, Shkodra ka qenë një nga ambientet më të bukura ku kam punuar. Kam nostalgji për këtë skuadër pavarësisht se ku ndodhet sot. Do ta mirëprisja me kënaqësi një ofertë”, u shpreh Canaj duke lënë të hapur mundësinë që të rikthehet të drejtojë sërish skuadrën shkodrane.
KRAJA
Megjithatë, nuk janë vetëm këto dy emrat që mund të marrin drejtimin e ekipit. Trajneri i Vllaznisë B, Elvis Kraja ka qenë edhe një ndër emrat që u përfol dhe dëshironte të merrte drejtimin e ekipit edhe gjatë periudhës së verës. Ai së bashku me Altin Xhahysën, shikohen sërish si alternativa të mundshme për të qenë në krye të kësaj skuadre.
Eksperienca e Krajës është e mjaftueshme për të marrë drejtimin e kësaj skuadre. Ai ka qenë pjesë edhe e tavolinës së drekës të teknikut të larguar Lika me stafin e klubit dhe nuk mund të përjashtohet mundësia që të jetë përfolur edhe për të ardhmen e stolit.
ADMIR URUÇI













