Një listë me 12 emra, spastrimi te Tirana nis me marrëveshjet me të padëshiruarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2025 | 23:03

Një listë me 12 emra, spastrimi te Tirana nis me marrëveshjet me të padëshiruarit

Leon Kozi nuk është më zyrtarisht pjesë e Tiranës. Portieri dhe klubi kanë vendosur të prishin marrëveshjen që kishin, duke e lënë Kozin lojtar të lirë. Ai tashmë po shqyrton alternativa për vazhdimin e karrierës, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj, duke mbajtur të hapura mundësi për skuadra të ndryshme që mund të kenë nevojë për shërbimet e tij.

Tirana

Një tjetër largim i rëndësishëm është ai i Hajrulla Tolës, i cili ka zyrtarizuar ndarjen nga Tirana përmes rrjeteve sociale. Mesfushori shkroi në “InstaStory”: “Më lejoni që nëpërmjet këtij ‘story’ t’ju njoftoj që unë nuk do jem më pjesë e Tiranës. Shpresoj që rrugët tona të lidhen përsëri në të ardhmen. Faleminderit KF Tirona. Faleminderit tifozave ‘Fanatics’. Me respekt, Tola”. Ky postim konfirmon largimin e një prej lojtarëve më me përvojë në mesfushën bardheblu, duke shtuar tensionin në ambientin e klubit.

Situata në Tiranë duket se po shkon drejt një riorganizimi të madh. Pas përfundimit të 16 javëve të para në kampionat, skuadra numëron vetëm 8 pikë, një rezultat që vendos presion të madh mbi drejtuesit dhe trajnerin. Përveç Ian Solerit, që u largua më parë, zyrtarisht larguar është edhe Tsone Patstasia. Lojtari gjeorgjian ka arritur marrëveshje me klubin dhe konsiderohet larg bardhebluve, duke shtuar listën e lojtarëve që nuk do të jenë pjesë e projektit të ardhshëm të Tiranës.

Lista e largimeve pritet të zgjerohet edhe më shumë, pasi marrëveshje po kërkohen edhe me lojtarë të tjerë si Alfred Mensah, Abel Abah, Mahamadu Dembele, Viktor Fernandez dhe Georges Valerianos. Ndërkohë, largimet e konfirmuara deri tani përfshijnë Leon Kozin, Hajrulla Tolën, Aldin Gjumsin dhe Ziadin. Kjo valë ndryshimesh tregon qartë se Tirana po përgatitet për një riorganizim të plotë të skuadrës, me qëllim për të përmirësuar performancën dhe për të shmangur rezultate të dobëta në vijim.

Me afrimet dhe largimet e pritshme, drejtuesit e klubit duket se po përpiqen të ndërtojnë një ekip më konkurrues dhe më të balancuar për gjysmën e dytë të sezonit. Mbetet për t’u parë se cilët lojtarë do të qëndrojnë dhe cilët do të largohen, duke i dhënë trajnerit mundësinë të rindërtojë një formacion.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL