Një kualifikim si “leksion” për Vllazninë, kuqeblutë janë shumë të brishtë në ajër
Vllaznia ia arriti që falë një fitoreje 2-4 në transfertë ndaj Daugavpils me përmbysje të arrinte të kalonte në turin tjetër të Conference League. Duke kaluar kështu pengesën e parë, që ishte edhe objektivi i kuqebluve.

Por, pavarësisht këtij kualifikimi në të dyja ndeshjet, kuqeblutë përsëritën të njëjtat gabime, që patjetër tani mund të konsiderohen edhe si një problem. Dhe që me patjetër duhet të shikohen me një sy kritik nga ana e stafit teknik, në mënyrë që mos të ripërsëriten në të ardhmen. Kështu shkodranët në rezultatin e përgjithshëm të dy takimeve, vajtje dhe ardhje u kualifikuan falë një rezultati 3-4, duke treguar kështu brishtësi në prapavijë e sidomos në lojën në ajër, ku u “goditën” me gola thuajse identikë në 180 minutat mes Elbasanit dhe Rigas.
Kështu të besuarit e Martinit pësuan 3 gola me kokë në të dy ndeshjet dhe pavarësisht shtatlartësisë në prapavijë, nuk arritën t’i bënin ballë një ekipi si Daugavpils. Që gjithë manovrën sulmuese e kishte të mbështetur në topat e gjatë dhe krosimet nga krahët. Të cilat rezultuan efikase në të dy ndeshjet, duke e vënë shumë në vështirësi ekipin e Vllaznisë.
Me 9 herë kampionët e vendit që me të vërtetë hasën shumë vështirësi për të përballuar një lojë të tillë. E madje pësuan edhe një gol me një aksion të tillë në fund të ndeshjes së kthimit, rrjetë që u anulua fatmirësisht për shkodranët, pas një faulli të shkaktuar më parë ndaj Qarrit. Patjetër që trajneri Martini i ka analizuar defekte të tilla në detaje dhe 50-vjeçari do marrë masat që gabime dhe situata të tilla të mos ripërsëriten në ndeshjet e ardhshme.
PANORAMASPORT.AL













