NGJARJET E SË PARËS/ Shumë “miqësore” dhe pak dilema, ja për çfarë luhet
Kur skuadrave u kanë mbetur edhe pesë ndeshje deri në fund të sezonit, vetëm tetë ekipe janë ende në lojë dhe luftojnë për të realizuar objektivat e tyre. Kampionati është drejt fundit, ndërsa pjesa më e madhe e ndeshjeve janë si miqësore.

Formula e zgjedhur nga FSHF katër sezone më parë po degradon në mënyrë spektakolare vit pas viti. Në sondazhin e organizuar nga gazeta “Panorama Sport” disa ditë më parë, 17 nga 20 klube që janë aktualisht pjesëmarrëse në Kategorinë e Parë, kanë kërkuar ndryshimin e formulës së kampionatit në mënyrë urgjente.
Javë pas jave, rezultatet e pjesës më të madhe të ndeshjeve dihen përpara se ato të luhen. Për sa i përket ngjitjes në elitë, ka mbetur të mësohet vetëm emri i skuadrës tjetër, pasi Vllaznia tashmë pret vetëm zyrtarizimin që të sigurojë biletën. Në Grupin A, shkodranët nuk po mendojnë për festën apo për sezonin e ardhshëm. Kërcënimet që ka marrë trajneri Agim Canaj dhe dyshimet nëse do të kthehet sërish në krye të skuadrës, janë çështjet që shqetësojnë ambientin kuqeblu.
Fundjavën e kaluar, Vllaznia e kishte pushim sipas kalendarit, ndërsa të dielën do të luajë në Shijak ndaj Erzenit ku mund të sigurojë edhe matematikisht biletën për në elitë. Dinamo vazhdon të fitojë dhe në ndeshjen ndaj shijakasve shënon dy gola. Një sfidë ku asnjë ekip nuk ka më objektiva. Blutë po përgatisin ekipin për sezonin e ardhshëm ku kanë bërë të ditur se do të kërkojnë rikthimin në Superiore. Edhe në Peshkopi luhet një “miqësore” mes Korabit vendës dhe Besëlidhjes. Lezhjanët fitojnë me rezultatin minimal 1-0 ku vendos goli i Hoxhës.
Për sa i përket mbijetesës në Grupin A, në garë janë tri ekipe që luftojnë për t’i shpëtuar rënies. Shënkolli dhe Vora janë më të rrezikuarat dhe, sipas gjasave, do të ketë një luftë të hapur mes tyre për t’i shpëtuar vendit të fundit që të çon direkt në Kategorinë e Dytë.
Në sfidën e së shtunës që u luajt në Shënkoll, në fund skuadrat ndajnë nga një pikë. Në minutat e fundit shënohen dy gola, fillimisht miqtë dhe më pas vendësit, ndërsa diferenca mes skuadrave është dy pikë me Vorën që mbyll renditjen. Burreli hedh një hap thuajse të sigurt drejt mbijetesës duke fituar 1-0 në fushën e vet përballë Veleçikut. Koplikasit kontestojnë gjykimin. 
Në Grupin B, Bylis shikon javën e pushimit përpara “finales” së parë që do të luhet në Kavajë. Kavajasit fitojnë 1-0, ndërsa nuk ka surpriza në një sfidë ku nuk akordohet asnjë karton i verdhë. Në ndeshjen tjetër të Grupit “play-off”, Lushnja barazon në shtëpi me Egnatian me rezultatin 2-2. Verdhejeshilët udhëheqin 2-0 me dopietën e Fatjon Sefës, por barazohen në pjesën e dytë.
Rrogozhinasit, edhe pse me një seancë stërvitore gjatë javës, trajnerin e larguar një ditë para ndeshjes dhe faktin që në pjesën e dytë luajnë me 10 lojtarë, ia dalin të barazojnë. Një sfidë ku rezultati nuk i intereson askujt, ndërsa trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, ka mbetur shumë i zhgënjyer. Në “play-out” janë tri ekipe që luftojnë për t’i shpëtuar rënies.

Elbasani, Tomori dhe Turbina do të jenë në një garë të ethshme për të mbijetuar. Cërrikasit fitojnë një “finale” shumë të rëndësishme në Rrogozhinë përballë Tomorit. Apolonia dhe Pogradeci luajnë një ndeshje prestigji, pasi tashmë e kanë siguruar të dyja mbijetesën. Fierakët nën drejtimin e Gentian Stojkut po shfaqen një ekip me fytyrë tjetër dhe në ndeshjen e së shtunës bëjnë spektakël duke fituar, 4-0.
Besar Bozgo













