NGJARJET E SË PARËS/ Eurogol për Superioren, ka aleanca dhe… “miqësore”
Vllaznia, një hap larg Superiores. Në Grupin A të Kategorisë së Parë është përcaktuar tashmë në masën 90% skuadra që do të ngjitet sezonin e ardhshëm në Superiore. Shkodranët janë +14 pikë nga ndjekësi më i afërt dhe pritet që brenda dy javësh të zyrtarizojnë rikthimin në elitë.

Trajneri Agim Canaj debuton në mënyrën më të mirë të mundshme në stolin kuqeblu duke e udhëhequr skuadrën në fitoren e thellë 4-0 ndaj Besëlidhjes. Skuadra e rikthyer të luajë në “Loro Boriçi”, ka dhuruar spektakël ndaj lezhjanëve.
“Qershia mbi tortë” është goli alla-Kristiano Ronaldo i shënuar nga braziliani Xhunior. Sulmuesi realizon një eurogol duke hapur serinë që më pas vazhdon me tre gola të tjerë që shënohen nga Ignat, Kruja dhe Hajdari. Në Shkodër kanë nisur të mendojnë që tani për sezonin e ardhshëm ku synohet të krijohet një ekip cilësor që të luftojë për të qenë sa më lart në renditje. Në ndeshjen tjetër të grupit “play-out”, Dinamo mund Korabin 3-1 në një sfidë që është si miqësore, pasi të dyja ekipet nuk kanë më asnjë objektiv dhe vetëm respektojnë garën.
Në Grupin B, duket se do të ketë një luftë të hapur deri në fund mes Besës dhe Bylisit. Ballshiotët nuk falin në fushën e tyre dhe fitojnë 5-2 ndaj Egnatias duke treguar se janë një prej ekipeve më në formë të momentit. Ndeshja tjetër ndërmjet Orikumit dhe Lushnjës mbyllet në barazim 1-1, një takim ku asnjë prej skuadrave nuk ka më objektiva.
Javë pas jave vërtetohet se formula që aplikohet prej katër sezonesh në Kategorinë e Parë është e dështuar. Pjesa më e madhe e skuadrave kanë dalë nga objektivat, ndërsa flitet për takime të toleruara dhe aleanca mes klubeve. E njëjta histori që përsëritet prej vitesh, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit nuk reagon. Për sa i përket mbijetesës, duket se ka një luftë më të fortë mes skuadrave. 
Në Grupin A, Iliria hedh një hap shumë të rëndësishëm drejt mbijetesës duke mundur në fushën e vet Shënkollin dhe në këtë mënyrë ngjitet në krye të grupit. Një gol i Boçit i jep 3-pikëshin skuadrës. Vora fiton një sfidë shumë të rëndësishme përballë Burrelit dhe shpreson deri në fund që t’i shpëtojë rënies.
Vorakët e drejtuar nga Rezart Maho ia dalin të fitojnë takimin që luhet në Pezë, ndërsa golin e vetëm të sfidës e shënon Allmeta. Diferenca mes Vorës dhe Shënkollit është vetëm dy pikë dhe duket se ekipet do të luftojnë fort mes tyre për të shmangur rënien direkte në Kategorinë e Dytë.

Në Grupin B, Turbina merr një goditje të rëndë duke u mundur në fushën e vet nga Apolonia. Cërrikasit mbeten në vendin e fundit në klasifikim dhe u duhet shumë punë që t’i shpëtojnë rënies në të Dytën. Ndërsa fierakët e shohin veten +10 pikë nga vendi i parafundit dhe thuajse e kanë siguruar mbijetesën në të Parën. Elbasani tregon se është i përgatitur për sfidat deçizive.
Në ndeshjen ndaj Tomorit, verdheblutë fitojnë me rezultatin e pastër 2-0 dhe në këtë mënyrë shkurtojnë diferencën me beratasit në vetëm një pikë. Tashmë Elbasani i ka të gjitha mundësitë që t’i shpëtojë rënies në të Dytën. Në këtë grup, duket se gara për t’i shpëtuar rënies do të jetë e hapur deri në fund.
/PANORAMASPORT.AL/
Besar Bozgo













