Nga Preka te Skuka, sa penalizuan dëmtimet te Partizani. Gjatë sezonit të kuqtë ishin të “përgjysmuar”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2026 | 10:31

Nga Preka te Skuka, sa penalizuan dëmtimet te Partizani. Gjatë sezonit të kuqtë ishin të “përgjysmuar”

Një nga problemet më të mëdha të Partizanit gjatë këtij sezoni ka qenë pa dyshim numri i lartë i dëmtimeve, të cilat ndikuan jo pak në ecurinë e skuadrës dhe në objektivat që të kuqtë kishin vendosur në fillim të kampionatit. Në një sezon të mbushur me luhatje, mungesat e shumta detyruan stafin teknik që në shumë ndeshje të ndryshonte vazhdimisht formacionin dhe të mos kishte mundësinë për të krijuar stabilitet në ekip.SKUKADËMTIMET E TITULLARËVE- Problemet nisën që në startin e sezonit, kur Partizani humbi shërbimet e sulmuesit Albers Keko. Futbollisti pësoi një dëmtim të rëndë në ligamentin e gjurit dhe mbeti jashtë fushave për shumë muaj. Një mungesë e rëndësishme për repartin ofensiv, duke qenë se Keko konsiderohej si një nga lojtarët me më shumë potencial në skuadër dhe një element që mund të sillte alternativë në sulm. Më pas, gjatë sezonit, lista e dëmtimeve u shtua edhe më shumë. Një tjetër mungesë me peshë ishte ajo e Prekës, i cili humbi disa ndeshje të rëndësishme për shkak të problemeve fizike. Po ashtu, edhe Nondi u detyrua të qëndronte jashtë për një periudhë të konsiderueshme, duke kufizuar alternativat në organikë. Partizani u godit edhe në mesfushë, aty ku mungesa e Arafat Dumbias ndikoi shumë në ekuilibrat e skuadrës. Mesfushori ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm për të kuqtë dhe mungesa e tij në disa takime ndikoi jo pak në ritmin dhe forcën fizike të ekipit në mesin e fushës. Probleme fizike pati edhe Marku, ndërsa Atanaskoski gjithashtu mungoi në disa momente të rëndësishme të sezonit. Të gjitha këto dëmtime krijuan vështirësi të mëdha për stafin teknik, i cili shpeshherë u detyrua të improvizonte në formacion dhe të aktivizonte lojtarë jashtë pozicioneve të tyre natyrale.

MUNGESA E SULMUESIT KRYESOR- Një tjetër goditje e rëndësishme për Partizanin ishte edhe dëmtimi i Skukës. Sulmuesi konsiderohej si një nga pikat më të forta të skuadrës dhe mungesa e tij uli ndjeshëm potencialin ofensiv të ekipit në një pjesë të sezonit. Në shumë ndeshje të kuqtë vuajtën jo pak në repartin e sulmit dhe mungesa e alternativave ndikoi drejtpërdrejt në rezultatet e skuadrës. Në disa periudha të kampionatit, Partizani kishte një numër të konsiderueshëm lojtarësh të dëmtuar dhe kjo bëri që trajneri Oltijon Kërnaja të mos kishte mundësinë për të aktivizuar formacionin ideal. Edhe kur skuadra arriti të ngjitej në vendin e katërt dhe të hynte në garë për “Final Four”, dëmtimet vazhduan të ishin një problem konstant për ekipin kryeqytetas. Mungesat ndikuan jo vetëm në aspektin teknik, por edhe në vazhdimësinë e rezultateve.

Në fazën e katërt, aty ku Partizani humbi gjithçka, skuadra nuk arriti të ruante ritmin dhe regjistroi një seri shumë negative me pesë humbje dhe tre barazime. Në shumë prej këtyre ndeshjeve, të kuqtë nuk kishin në dispozicion disa nga lojtarët kryesorë të organikës. Pikërisht për këtë arsye, në ambientin e klubit ekziston bindja se dëmtimet luajtën një rol të rëndësishëm në sezonin zhgënjyes të ekipit. Edhe pse nuk ishte faktori i vetëm, mungesat e shumta gjatë kampionatit ndikuan në stabilitetin e skuadrës dhe në mundësinë për të ruajtur nivelin e rezultateve deri në fund të sezonit. Në klub shpresojnë që sezoni i ri të jetë më me fat në këtë aspekt, teksa drejtuesit kanë nisur nga puna për të gjetur lojtarët e duhur për të rritur kualitetit dhe për të rikthyer Partizanin sërish pretendent për trofetë si titulli në Superiore dhe Kupat e Shqipërisë.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL