Nga nostalgjia te vlerësimi për Ilir Dajën, Vrapi beson te suksesi i Vorës
Vora po shfrytëzon maksimalisht seancat stërvitore për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës ndaj Dinamos, e cila do të zhvillohet nesër në stadiumin “Air Albania”. Lojtarët po përballojnë ngarkesë të plotë përpara kësaj sfide të rëndësishme, ku për vorakët mbetet thelbësore marrja e një rezultati pozitiv përballë dinamovitëve.

Në prag të këtij takimi për “Panorama Sport” u shpreh Jurgen Vrapi. Futbollisti 27-vjeçar, i formuar te Akademia e Futbollit “Tirana”, ka qenë pjesë e Dinamos për dy sezone (2018- 2020). Edhe pse përballja ndaj ish-skuadrës mbetet e veçantë për të, Vrapi shprehet i fokusuar te Vora, ku thotë se ka gjetur stabilitetin dhe veten e tij si futbollist.
Vrapi, si e përjetoni këtë përballje?
Është një ndeshje shumë e vështirë, duke ditur cilësitë e kundërshtarit dhe zgjuarsinë e trajnerit të tyre. Dinamo është një skuadër që kërkon shumë mund dhe djersë për t’u mposhtur, por edhe qetësi dhe zgjuarsi nga ana jonë. Natyrisht, na duhet edhe pak fat në fazën sulmuese. Ne do të japim maksimumin, ashtu si në çdo ndeshje deri tani, dhe shpresojmë të dalim me një rezultat pozitiv.
A rrezikohet Vora për mbijetesën?
Jo, aspak. Kemi marrë shumë pikë, pavarësisht se shumicën e ndeshjeve i kemi luajtur jashtë fushës sonë, në transferta dhe në stadiume jo të njohura për ne.
Në fazën e tretë do të kemi më shumë ndeshje në stadiumin tonë, ku do ta inaugurojmë me ndeshjen e fundit të vitit ndaj Bylisit. Duke njohur ekipin dhe grupin që kemi, jam i bindur se mbijetesa nuk do të diskutohet.
Sa kanë ndikuar ndeshjet jashtë fushës dhe dëmtimet?
Të jem i sinqertë, këta kanë qenë faktorët më negativë për ecurinë tonë. Ende nuk e kemi provuar atmosferën e Superiores në stadiumin tonë, ndërkohë që sezonin e kaluar, në Kategorinë e Parë, tifozeria jonë krijonte një ambient shumë të bukur.
Sa i përket dëmtimeve, ato na kanë penalizuar ndjeshëm, pasi pothuajse në çdo ndeshje kemi qenë të cunguar dhe pa formacion të plotë. Mungesat e Hasës dhe Karricës i kemi ndjerë shumë. Janë dy djem të rinj, me perspektivë dhe cilësi të veçanta, dhe shpresojmë që të rikthehen sa më shpejt pranë skuadrës.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













