Nga Mehmeti te Devolli, njihuni me të gjitha lëvizjet në pankinat e skuadrave të Superiores
Klubet e Superiores shquhen për lëvizjet e shpeshta të trajnerëve, drejtuesit e tyre zakonisht nuk kanë shumë durim, kur rezultatet nuk janë ato që priten.
Mbyllja e sezonit me të njëjtin trajner që e ka nisur atë është diçka e rrallë, ose përjashtim në futbollin shqiptar. Edhe sezoni aktual është i tillë, ku nga 10 skuadra, vetëm 2 prej tyre vazhdojnë me të njëjtin trajner. Më shumë lëvizje pas 25 javësh kampionat kanë bërë Bylisi dhe Teuta, aktualisht me trajnerin e tretë në stol.
TETOVA-BRDARIÇ – Edlir Tetova nuk ka lëvizur nga kampionët prej janarit të vitit 2023, duke qenë një nga rastet e rralla të Superiores. Egnatia kryeson bindshëm kampionatin dhe kjo zgjedhje ka rezultuar e drejtë. Edhe Vllaznia nuk ka ndryshuar trajner deri tani, me gjermanin Tomas Brdariç që ka pasur sukses. Shkodranët mbajnë vendin e dytë.
TË TJERËT – Dritan Mehmeti ishte trajneri i parë që u largua këtë sezon. Në vend të tij stolin e Dinamos u ul vetëm një ndeshje Erjon Xhafa dhe më pas trajneri aktual, Ilir Daja. Me këtë trajner blutë u shpallën kampionë dimri, ndërsa tani mbajnë vendin e 3-të. I fundit që është larguar është Bledar Devolli nga Teuta. Ai kishte marrë vendin e Edi Martinit, ndërsa tani është zëvendësuar nga Bledar Hodo. Partizani e nisi kampionatin me drejtorin sportiv Arbër Abilaliaj si trajner, për të vazhduar me serbin Aleksandar Veselinoviç. Elbasani e nisi me italianin Roberto Bordin dhe tani drejtohet nga Ivan Gvozdenoviç, i cili më parë ishte te Skënderbeu, ku u pasua nga Ernest Gjoka. Në fillim të sezonit ndërroi trajner edhe Laçi, ku vendin e Armando Cungut e mori italiani Françesko Moriero, që e rilindi këtë skuadër. Bylisi aktualisht ka në stol trajnerin e 3-të, Gentian Mezanin, para të cilit ishin Emanuel Egbo dhe Nevil Dede.
RASTI “SHKËMBI” – Pak më i veçantë është rasti i Tiranës sa i takon trajnerit. Edhe kjo skuadër ka bërë tre lëvizje, por dy prej tyre i takojnë të njëjtit emër: Bledi Shkëmbit. Korçari ishte në fillim të sezonit në stolin bardheblu, pastaj u zëvendësua nga Gugash Magani, si dikur te Teuta, për t’u rikthyer sërish në krye të Tiranës disa javë më parë.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













