Nga Lika te Himallari, e ardhmja e futbollit shqiptar. Dyshja e Partizanit është në listën e debutuesve më të rinj (E PLOTË)
Në futboll, shifrat nuk janë gjithmonë vetëm statistika. Ato mbartin të shkuarën, të tashmen dhe ndonjëherë edhe të ardhmen me momente që nuk përsëriten lehtë.
Kështu ndodhi në vitin 2023 me Ilion Likën te Tirana, apo këtë muaj me Elson Himallarin dhe Dion Vatën e Partizanit. Dy futbollistë të rinj dhe një ish-portier, që nuk u përballën asnjëherë bashkë, por mbeten të lidhur përmes të njëjtit kompeticion europian, Liga e Konferencës.
ILION LIKA- Në gusht të vitit 2023, në stadiumin “Air Albania”, Ilion Lika u bë pjesë e historisë duke u shndërruar në lojtarin më të vjetër që ka luajtur ndonjëherë në kualifikueset e Ligës së Konferencës. 43 vjeç, 2 muaj dhe 17 ditë përballë gjigantëve të Beshiktashit. Një rekord që u vendos edhe nga fati. Kjo, pasi Gentian Selmani qëndronte në portën e Tiranës, ndërsa u dëmtua rëndë dhe vendin e tij e mori Lika në minutën e 32-të.
Ky moment me fanellën e kryeqytetasve u arrit përballë një kundërshtari të madh si Beshiktashi. Ajo mbrëmje e turit të dytë, ndonëse përfundoi me humbje 0 me 2 nga bardheblutë, do të mbahet mend nga Lika si sfida e rekordit.
Për të, ajo ishte ndeshja e fundit në Europë, para se të luante edhe gjashtë të tjera në kampionat dhe të tërhiqej përfundimisht në verën e kaluar. Ishportieri veteran i dha fund rrugëtimit të tij me kokën lart dhe rreth 600 ndeshje të luajtura. Thuajse në çerekshekulli u kthye në një ndër figurat më të respektuara të futbollit shqiptar, jo vetëm për performancën në fushë, por edhe për profesionalizmin. Lika e mbylli karrierën me kokën lart, duke lënë pas seriozitetin e një lojtari që përfaqësoi denjësisht fanellat që veshi.
HIMALLARI DHE VATA- Në anën tjetër, dy vite më pas në kualifikueset e të njëjtit kompeticion, një tjetër shenjë do të dallonte për Superioren. Këtë herë në Talin të Estonisë, me dy adoleshentë që përfaqësojnë brezin e ri të futbollit shqiptar. Më 10 korrik 2025, Partizani u përball me Kaljun në turin e parë të Ligës së Konferencës.
Në atë ndeshje, që përfundoi me barazim 1-1, trajneri Skënder Gega vendosi të aktivizojë dy lojtarë të dalë nga akademia. Bëhet fjalë për Elson Himallarin dhe Dion Vatën. Të dy të lindur në vitin 2009. Himallari, i datëlindjes 16 prill, u fut në lojë në pjesën e parë. Mosha e tij ishte pikërisht 16 vjeç, 2 muaj dhe 24 ditë.
Njëjtë si Ilion Lika, duhet të zëvendësonte shokun e skuadrës të dëmtuar rëndë. Më saktë mori vendin e Albers Kekos, që konsiderohej mjaft i rëndësishëm duke marrë përsipër edhe përgjegjësi të madhe. Jo vetëm kaq. Vetëm disa minuta para fundit të ndeshjes, edhe Dion Vata, lindur më 25 shkurt të të njëjtit vit(2009), bëri debutimin e tij europian. U aktivizua në vendin e Judah Garsias. Mosha e tij shënonte 16 vjeç, 4 muaj dhe 15 ditë.

SINJALET- Vata dhe Himallari janë rritur në strukturën e klubit të kuq dhe përfaqësojnë filozofinë e re, që Partizani ka nisur të ndjekë për këtë sezon. Ndërtimi i një skuadre me baza në akademi, duke u dhënë hapësirë talenteve. Himallari është sulmues, ndërsa Vata është mesfushor. Bashkë u aktivizuan në një sfidë me peshë, ku nuk mund të mungonin as emocionet dhe as presioni. Tashmë, Himallari e sheh veten i renditur i pesti, ndërsa Vata i shtati krah lojtarëve më të rinj që janë aktivizuar në kualifikueset e Ligës së Konferencës nga viti 2021.
Në dy vite, nga portieri që po mbyllte karrierën në moshën 43- vjeçare te dy 16-vjeçarë që po hedhin hapat e parë, futbolli shqiptar ka përjetuar një nga ato kalime simbolike që rrallë ndodhin kaq qartë. Dhe shkak është bërë Europa. E veçanta është se këto momente erdhën nga i njëjti kompeticion. Liga e Konferencës, përveçse një mundësi për të matur veten dhe për të fituar të ardhura ndaj skuadrave europiane, është shndërruar edhe në skenë për më tepër mundësi. Përballë Kaljus në Talin, Partizani tregoi se e ardhmja është projekti i vërtetë me Gegën.
Vendimi për të hedhur në fushë Himallarin dhe Vatën nuk ishte i rastësishëm, por i paralajmëruar dhe rezultat i një besimi të ngritur me kohë pasi debutimet kishin ardhur ndaj Dinamos në “Final Four”. Dhe nëse vazhdohet me këtë ritëm, nuk do të jetë surprizë që në vitet e ardhshme të jenë gjithnjë e më shumë lojtarë të rritur brenda mureve të akademisë duke u bërë protagonistë në skenën europiane.
Në vitin 2023, Tirana vendosi të mbështetej tek përvoja dhe siguria e një lojtari që kishte parë shumë në karrierë. Sot, Partizani po ndërton ekipin duke llogaritur edhe guximin e një brezi, që nuk ka frikë të hyjë në fushë me vetëm 16 vite mbi supe.
Ishte hera e parë pas 22 vitesh që Partizani kishte në fushë dy të rinj që nuk janë më tepër se 16 vjeç në një ndeshje zyrtare ndërkombëtare. Matios Metaj dhe Elis Bakaj aktivizoheshin nga stoli përballë Makabi Netania, ndërsa sfida fitohej asokohe 2 me 0. E përbashkëta mes këtyre momenteve është besimi. Dhe në futbollin shqiptar ku shpesh dominon skepticizmi, besimi duhet të jetë vlera më e rëndësishme për të ndërtuar të ardhmen.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













