Nga Kontreras te Kola, Partizani i “sheh hajrin” ekipit B

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2026 | 17:34

Nga Kontreras te Kola, Partizani i “sheh hajrin” ekipit B

Nëse ka një veçori për të cilën mund të karakterizohet Partizani i trajnerit Oltijon Kërnaja, ajo është mosha e re e lojtarëve në organikë, sidomos për shkak se shumë prej tyre janë promovuar pikërisht nga tekniku 37-vjeçar që ju ka dhënë të rinjve një dorë për të shkëlqyer në elitë dhe deri më tani pjesa më e madhe e tyre kanë ditur t’ja shpërblejnë.

partizani

Tekniku i “Demave të Kuq” i ka dhënë mundësinë shumë djemve të rinj, të ardhur edhe nga ekipi B që të provojnë veten në elitën e futbollit shqiptar dhe t’i vjedhin “skenën” atyre me më shumë eksperiencë. Mjafton të kujtojmë rastin e Diego Kontreras i cili fillimisht ishte pjesë e Partizanit B, por pasi trajneri Kërnaja i dha besimin në një ndeshje me Teutën në Durrës ku kolumbiani shënoi dy gola në fitoren 3-2, u shndërrua në një element për ekipin e parë të kryeqytetasve.

Kontreras është rasti më klasik, i lojtarit që falë golave të tij, katër deri tani, bie lehtësisht në sy, por në listën e lojtarëve të rinj të cilëve trajneri Kërnaja u ka dhënë “dorën”, ka patjetër shumë më tepër elementë. Një tjetër lojtar që është bërë rregullisht pjesë e skuadrës pas emërimit të Kërnajës trajner dhe që më parë ishte pjesë e ekipit B, është edhe Marjus Kola. Mbrojtësi i krahut të djathtë numëron pesë prezenca në kampionat me 17- herë Kampionët e Shqipërisë dhe ka treguar paraqitje pozitive duke i dhënë një hov të madh karrierës së tij. Pas dëmtimit të rëndë të Albion Markut, Kola pritet të ketë edhe më shumë minuta në dispozicion për të shfaqur edhe më tepër potencialin e tij.

Sakaq, pjesë e Partizanit nga skuadra B është bërë së fundmi edhe Denis Sulo. 20-vjeçari ishte prej disa ndeshjesh pjesë e ekipit të parë, por në stol, ndërsa në ndeshjen e fundit ndaj Teutës, Sulo debutoi duke u aktivizuar për 13 minuta. Ndërkohë, Kërnaja i dhuroi debutimin edhe mesfushorit Kazim që më parë kishte luajtur me të rinjtë. 19-vjeçari ishte bërë pjesë e klubit të Partizanit prej janarit të kaluar, por në fushë zbriti vetëm në ndeshjen e 19 dhjetorit ndaj Egnatias, për t’u aktivizuar më pas edhe në sfidën kundër Dinamos.

Kësaj liste i shtohet edhe talenti Dion Vata të cilit trajneri Kërnaja i dha mundësinë e aktivizimit në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Burrelit dhe kujtojmë se djaloshi është vetëm 16-vjeçar. Pa harruar këtu se pavarësisht lojtarëve të sipërpërmendur të cilit ishin më parë pjesë e Partizanit B apo ekipit të të rinjve, në organikë ka të tjerë të rinj që janë bërë menjëherë pjesë e skuadrës së parë si sulmuesi Rrok Toma 21-vjeçar, Marcelino Preka 22- vjeçar, Andi Janjeva 23-vjeçar, Paulo Buxhelaj 22, Gjergji Kote 21, Tedi Malaj 18 apo edhe Besar Gudjufi 21-vjeç.

Trajneri Kërnaja ka ditur si t’i marrë më të mirën organikës në dispozicion me “timonierin” e të kuqve që jo më kot e thekson gjithnjë se te Partizani nuk ka nevojë për lojtarë sa për numër, pasi disponon një skuadër të re me shumë energji dhe talent, e natyrshëm në merkato kërkon më shumë eksperiencë që në disa raste është vendimtare për të marrë pikët e nevojshme për të përmbushur objektivat e sezonit.

EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL