Nëntë trajnerë të huaj në 12 sezone, vetëm 1 është shpallur kampion te Partizani
Që prej rikthimit në elitën e futbollit shqiptar në sezonin 2013-2014, Partizani ka ndjekur në shumë raste filozofinë e besimit te trajnerët e huaj.
Drejtuesit e klubit kanë kërkuar vazhdimisht modele të ndryshme pune dhe eksperienca të ardhura nga kampionate të tjera, duke ia besuar pankinën teknikëve nga vende të ndryshme të Europës. Në harkun e 12 sezoneve të fundit, të kuqtë kanë emëruar në nëntë raste trajnerë të huaj. Edhe pse bilanci i tyre nuk ka qenë gjithmonë në nivelin e pritshmërive, klubi nuk ka ndryshuar qasje. Përkundrazi, gjithçka të çon te ideja se edhe sezoni i ardhshëm do të nisë nën drejtimin e një tekniku të huaj.
QË NGA RIKTHIMI NË SUPERIORE- Historia e trajnerëve të huaj te Partizani fillon në sezonin 2013-2014 me nportugezin Marcio Sampaio. Ai mori drejtimin e skuadrës në shkurt të vitit 2014 dhe qëndroi deri në përfundim të kampionatit. Sampaio drejtoi ekipin në 13 ndeshje, duke qenë trajneri i parë i huaj i epokës së re të Partizanit në Superiore.
EPOKA ITALIANE- Dy vite më vonë, në janar të vitit 2016, pankina iu besua italianit Andrea Agostinelli. Tekniku mori drejtimin e skuadrës në pjesën e dytë të sezonit dhe e drejtoi ekipin në 20 ndeshje. Në fund të kampionatit, Partizani e mbylli edicionin në vendin e dytë, duke siguruar pozicionin e nënkampionit. Vera e vitit 2016 solli një tjetër italian në krye të skuadrës. Adolfo Sormani mori drejtimin e ekipit gjatë aventurës europiane dhe vijoi punën deri në muajin tetor. Në total, ai drejtoi Partizanin në 13 ndeshje përpara se rrugët mes palëve të ndaheshin. Pas largimit të Sormanit, drejtuesit vazhduan të kërkonin zgjidhje jashtë Shqipërisë. Në sezonin 2017-2018 radha i erdhi Mark Iulianos. Ish-mbrojtësi i njohur italian qëndroi në pankinë nga korriku deri në nëntor, duke regjistruar 11 ndeshje në krye të skuadrës.
TITULLI ME GEGËN- Mes gjithë këtyre eksperimenteve me trajnerë të huaj, sezoni 2018-2019 përbën përjashtimin më të madh. Në atë edicion Partizani u drejtua nga Skënder Gega, i cili arriti ta shpallte skuadrën kampione të Shqipërisë dhe t’i jepte fund pritjes së gjatë për titull. Pas suksesit me Gegën, klubi u rikthye sërish te trajnerët e huaj.
SËRISH NJË ITALIAN DHE RIKTHIMI I SORMANIT DERI TE TITULLI I KOLELËS Në verën e vitit 2019 u emërua Franco Lerda. Italiani e drejtoi ekipin në 23 ndeshje dhe gjatë periudhës së tij Partizani fitoi Superkupën e Shqipërisë. Trofeu erdhi pas suksesit 4-2 ndaj Kukësit pas kohës shtesë, duke i dhënë Lerdës një vend të veçantë në historinë e fundit të klubit. Megjithatë, aventura e tij në kryeqytet përfundoi në fund të vitit 2019. Vetëm pak ditë më pas, drejtuesit vendosën të rikthenin Adolfo Sormanin. Italiani mori sërish drejtimin e ekipit më 30 dhjetor 2019 dhe qëndroi në pankinë deri në korrik të vitit 2020. Në këtë periudhë ai drejtoi Partizanin në 18 ndeshje. Pas disa sezoneve me trajnerë shqiptarë, klubi iu rikthye edhe një herë tregut të huaj në verën e vitit 2022. Këtë herë zgjedhja rezultoi më e suksesshmja. Giovanni Colella mori drejtimin e skuadrës në gusht të vitit 2022 dhe qëndroi deri në qershor të vitit 2023. Italiani drejtoi Partizanin në 42 ndeshje dhe arriti suksesin më të madh të mundshëm. Nën drejtimin e tij, të kuqtë fituan titullin kampion, i 17-ti në historinë e klubit. Deri më sot, Colella mbetet i vetmi trajner i huaj që ka arritur të shpallë Partizanin kampion të Shqipërisë.
EPOKA E TRAJNERËVE BALLKANAS- Pas largimit të tij, pankina iu besua kroatit Zoran Zekiç. Tekniku qëndroi në krye të skuadrës nga qershori deri në tetor të vitit 2023 dhe regjistroi 14 ndeshje. Edhe pse periudha e tij nuk ishte e gjatë, Zekiç la gjurmë në aspektin e organizimit të skuadrës dhe emri i tij vijon të lidhet me Partizanin edhe sot. Në sezonin 2024-2025, drejtimin e ekipit e mori serbi Aleksandar Veselinoviç. Ai qëndroi në pankinë nga gushti i vitit 2024 deri në shkurt të vitit 2025 dhe drejtoi skuadrën në 26 ndeshje në total, pa lënë shumë gjurmë. Trajneri i fundit i huaj në këtë listë është Mladen Milenkoviç. Serbi mori drejtimin e ekipit në fillim të sezonit 2025- 2026, por aventura e tij zgjati vetëm gjashtë ndeshje. Pas rezultateve të dobëta të javëve të para, bashkëpunimi mes palëve përfundoi në tetor të vitit 2025.
9 TRAJNERË TË HUAJ NË 12 SEZONE- Nëse mblidhen të gjitha këto periudha, rezulton se Partizani u ka besuar trajnerëve të huaj në nëntë raste të ndryshme gjatë 12 sezoneve të fundit. Disa prej tyre qëndruan vetëm pak muaj, ndërsa të tjerë arritën të lënë gjurmë më të rëndësishme. Megjithatë, vetëm njëri prej tyre ia doli të fitojë kampionatin. Giovanni Colella mbetet deri më sot tekniku i vetëm i huaj që e ka çuar Partizanin te titulli kampion. Pavarësisht këtij bilanci, drejtuesit nuk duket se kanë ndërmend të ndryshojnë filozofinë e tyre. Edhe për sezonin e ardhshëm, emrat që po qarkullojnë për pankinën e të kuqve janë të gjithë trajnerë të huaj. Kjo tregon se besimi te eksperienca e ardhur nga jashtë vijon të jetë pjesë e rëndësishme e strategjisë së klubit, i cili po kërkon të nisë një cikël të ri pas një sezoni larg objektivave të vendosura në fillim të kampionatit.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













