Në Vlorë presin ndryshimin, Idrizi mbledh ekipin: Dukej që këtë herë po luanit me dëshirë
Sinan Idrizi “kokë më kokë” me futbollistët. Pas humbjes së rëndë ndaj Egnatian në shtëpi, administratori i klubit, Sinan Idrizi, është shfaqur i mërzitur dhe nuk ka kursyer kritikat për lojtarët.

“Panorama Sport” zbulon se pas sfidës dhe festës në stadiumin e mbushur, ku tifozët kuqezi shënuan një numër rekord në inaugurimin e punimeve të impiantit, Idrizi është përpjekur të mbajë tonin e butë, por nuk ka lënë pa theksuar problematikat që evidentoi gjatë ndeshjes. Burime pranë takimit të Idrizit me “senatorët” konfirmojnë se kreu i klubit ka vlerësuar edhe ndryshimin në lojën e skuadrës, duke theksuar se ekipi luajti ndryshe nga ndeshjet e mëparshme.
“Çuna, ajo që më pëlqeu në këtë ndeshje ishte loja. Një lojë ndryshe nga ndeshjet e kaluara. Dukej që po luanit me dëshirë. Ju e dini që një gjë nuk e toleroj: mungesën e respektit ndaj fanellës. Mendova se ato dy gabime që bëtë na penalizuan dhe nuk arritëm të fitonim,” u shpreh Idrizi. Dukshëm, toni kritik i administratorit ka pasur ndikim në moralin e skuadrës, duke lënë të kuptohet se presioni mbi lojtarët është i madh.
GARSIA NË VËSHTIRËSI- Pozitat e Karlos Garsias në krye të Flamurtarit janë lëkundur ndjeshëm pas këtij rezultati zhgënjyes. Nën drejtimin e tij, skuadra ende nuk ka shijuar fitoren dhe humbja ndaj Egnatian ka thelluar krizën. Trajneri spanjoll është mjaftuar me një deklaratë pas ndeshjes: “Gjithë përgjegjësia është e imja, e marr unë. Do analizojmë ndeshjen, zgjedhjet që bëra në lojë dhe ndërrimet. Pas kësaj do të stërvitemi për të rikuperuar dhe përgatitur ndeshjen me Dinamon.”
Drejtuesit e klubit nuk kanë marrë vendime të menjëhershme për ndryshime në stilin e menaxhimit, duke lënë skuadrën dhe stafin teknik pushim përkohësisht. Qetësia e djeshme ishte në kontrast me atmosferën elektrizuese të mbrëmjes së të dielës, kur stadiumi gëlonte nga tifozët. Për çdo ndryshim të mundshëm në pankinë, duket se drejtuesit duhet të arrijnë një marrëveshje me Garsian për zgjidhjen e kontratës në mënyrë të mirëkuptuar, pa pasoja të rënda për klubin.
REAGIMI I KLUBIT- Klubi i Flamurtarit nuk ka dalë me deklarata të tjera pas humbjes me Egnatian, përveç falënderimeve për tifozët. Skuadra gjendet tani në fundin e tabelës me vetëm dy pikë, ndërsa tifozët vazhdojnë të kërkojnë reagim të menjëhershëm. “Një falënderim i veçantë për tifozët kuqezi që ishin pranë skuadrës dhe krijuan atmosferën e tyre unike,” u shpreh klubi. Tifozët, megjithatë, kërkojnë ndryshime drastike duke nisur nga pankina, pasi me Garsian në stol deri tani rezultati ka qenë zhgënjyes dhe nuk ka sjellë dot përmirësime në lojën e skuadrës. Situata e Flamurtarit mbetet kritike dhe presioni mbi lojtarët dhe trajnerin është i madh për të rikthyer kuqezinjtë në rrugën e sukseseve.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













