Në “Elbasan Arena” ndëshkohet çdo gabim, verdheblutë e Gvozdenoviç duan triumfin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2025 | 23:20

Në “Elbasan Arena” ndëshkohet çdo gabim, verdheblutë e Gvozdenoviç duan triumfin

Elbasani është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të zhvillohet këtë fundjavë ndaj Vorës në “Elbasan Arena”. Një përballje shtëpie që për verdheblutë ka një domethënie të qartë: vetëm fitorja vlen.

elbasani

Skuadra elbasanase vjen pas dy ndeshjeve jo pozitive, humbjes me Vllazninë dhe barazimit me Teutën, që kanë lënë pas një ndjesi zhgënjimi dhe kanë shtuar presionin në kampin verdheblu. Pas një starti të mirë sezonal, ekipi ka rrëshqitur në renditje dhe tashmë kërkon të rikthehet menjëherë në rrugën e duhur, për të mos humbur kontaktin me objektivat që i ka vënë vetes.

DIREKTIVAT E FUNDIT – Gjatë gjithë këtyre ditëve, trajneri Ivan Gvozdenoviç ka punuar me intensitet të lartë me skuadrën, duke u fokusuar si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë psikologjik. Në fushë janë testuar disa skema të reja loje dhe alternativa që pritet të përdoren ndaj Vorës, me synimin për të rritur qartësinë në fazën sulmuese dhe për të pasur më shumë efikasitet para portës. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe gjendjes morale të lojtarëve.

Pas dy rezultateve zhgënjyese, tekniku serb është munduar të zbusë presionin dhe të rikthejë optimizmin brenda grupit, duke i motivuar lojtarët që të përqendrohen vetëm te loja dhe jo tek renditja. Burime pranë skuadrës tregojnë se fryma në ekip është pozitive, ndërsa lojtarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes. Stërvitjet e fundit janë zhvilluar me ritëm të lartë dhe me angazhim maksimal nga të gjithë.

FITORJA SI DETYRIM – Megjithatë, përtej qetësisë që kërkohet të transmetohet, realiteti është se çdo rezultat tjetër përveç fitores do të konsiderohej dështim. Në “Elbasan Arena”, verdheblutë nuk kanë luksin e një tjetër hapi fals. Një tjetër ndalesë do të rëndonte situatën dhe do të ndikonte në moralin e skuadrës, që tashmë kërkon të rifitojë besimin e tifozëve dhe të rikthejë atmosferën pozitive të fillimit të sezonit.

Fitorja ndaj Vorës shihet si detyrim moral dhe sportiv për një skuadër që synon të qëndrojë në pjesën e sipërme të tabelës dhe të ruajë ritmin e ekipeve kryesuese. Në klub janë të vetëdijshëm se përballë nuk do të kenë një kundërshtar të lehtë, por në të njëjtën kohë besojnë se potenciali dhe cilësia e ekipit do të bëjnë diferencën në fushë. Në prag të ndeshjes, ndjesia që mbizotëron në Elbasan është e qartë: çdo gabim është i ndaluar dhe tri pikët janë domosdoshmëri.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL