Ndreca në balotazh me Alijev për një vend në formacion, problemi i Egnatias është mungesa e Fangajt
Egnatia ndodhet në prag të një prej mbrëmjeve më të rëndësishme të historisë së saj europiane. Pas barazimit pa gola në takimin e parë në Slloveni, skuadra e Tetovës është e vendosur ta mbyllë llogarinë në “Arena Egnatia”, aty ku në dy përballjet e mëparshme në këtë sezon të kupave ka dalë fituese me rezultatin minimal 1-0.

Përgatitjet kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe atmosfera në skuadër është e mbushur me optimizëm, ndërsa besimi për të kaluar më tej është i madh. Trajneri Edlir Tetova dhe lojtarët e tij e dinë mirë se një tjetër mbrëmje perfekte në Rrogozhinë mund t’i çojë drejt fazës tjetër të kualifikimeve.
FANGAJ PRISH PLANET – Në tre ndeshjet e fundit europiane, Egnatia e Tetovës ka dalë në fushë me të njëjtin formacion titullar dhe kjo qasje i ka dhënë rezultat: skuadra ka arritur të marrë pikërisht atë që ka synuar, fitoren minimale dhe kualifikimin në turin tjetër. Stabiliteti në përzgjedhje ka krijuar harmoni mes reparteve dhe ka forcuar automatizmat në lojë. Por për ndeshjen e kthimit ndaj Olimpijas, trajneri Edlir Tetova është i detyruar të dalë nga “skema e fiksuar” dhe të bëjë ndryshime të pashmangshme. Shkaku kryesor lidhet me mungesën e Abdurrahman Fangajt, një nga titullarët e padiskutueshëm në prapavijë, i cili në sfidën e parë në Slloveni u ndëshkua me karton të kuq, pas dy të verdhave.
Kjo e ka prishur planin fillestar të Tetovës dhe e ka detyruar atë të mendojë për zgjidhje alternative në krahun e djathtë të mbrojtjes. Zgjidhja më e mundshme është futja në formacion e mbrojtësit Haime, i cili është një nga afrimet e fundit të rrogozhinasve. Ndërkohë, edhe krahu i majtë nuk është i “mbyllur” në zgjedhje. Aty po zhvillohet një duel i hapur mes Ndrecës dhe Alijevit për një vend si titullar. Vendimi final pritet të merret vetëm pas seancave të fundit stërvitore, me stafin teknik që po i peshon të gjitha alternativat për të ruajtur ekuilibrin mes mbrojtjes dhe daljes përpara në krahë.
SHPRESAT PËR GOL- Në fazën ofensive, Tetova mbështetet fort tek dyshja Selmani–Gruda. Të dy kanë qenë protagonistë në fitoret 1-0 ndaj Breidablik dhe Dinamo Minsk në Rrogozhinë, duke treguar se dinë të shfrytëzojnë rastet e pakta në ndeshje të ngushta. Shënues të qetë dhe me përvojë në ndeshje me presion të lartë, ata pritet të jenë arma kryesore e Egnatias për të zhbllokuar mbrojtjen e Olimpijas. Me një mbrojtje të kujdesshme dhe me shpresën se historia mund të përsëritet, kampionët e Shqipërisë synojnë që të shkruajnë një tjetër kapitull të suksesshëm në aventurën europiane.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













