Ndihmësit “tradhtojnë” sërish Dajën, këtë herë pa… të birin
Dinamo nuk arriti të merrte më shumë se një barazim 1-1 në Ballsh ndaj Bylisit, megjithatë ky takim ka lënë me pasoja skuadrën kryeqytetase.

Përveç Gudiabit që u ndëshkua me karton të kuq duke lënë skuadrën me 10 lojtarë, një dënim i rëndë ka ardhur edhe nga Komisioni i Disiplinës për zëvendës trajnerin, Glen Daja. I biri i trajnerit Ilir Daja, është dënuar me 4 ndeshje pezullim për shkak të sjelljeve antisportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, duke ofenduar arbitrat pas përfundimit të takimit.
Të dyja palët kanë pasur pretendime për gjykimin, duke mos i konsideruar të drejta vendimet e tyre ndërkohë që Disiplina ka vendosur të ndëshkojë Glenin. Për të, kjo nuk është hera e parë që ndëshkohet duke qenë se edhe disa javë më parë, Daja u ndëshkua me karton të kuq në Shkodër pas debatit me Sinanin, duke lënë sërish trajnerin pa krahun e djathtë.
Shpesh herë këtë sezon, kartonë të verdhë por edhe pezullim ka pasur edhe për asistentin tjetër, Renaldo Kalari, i cili ka marrë të verdhë e të kuq. “Zyrtari i FC Dinamo City, Glen Daja, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti”, shkruhej në vendimin e Disiplinës.
Nëse klubi i Dinamos nuk do të apelojë ose të paguajë gjysmën e dënimit, Daja do të rikthehet në fushë vetëm në javën e fundit të kampionatit ndaj Partizanit.
PANORAMASPORT.AL













