“Ndeshjet s’fitohen me frymën e shenjtë”, Laluci: 3 sfidat në shtëpi, vendimtare për Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2025 | 23:59

“Ndeshjet s’fitohen me frymën e shenjtë”, Laluci: 3 sfidat në shtëpi, vendimtare për Flamurtarin

Vangjel Laluci i sheh vendimtare tri sfidat që Flamurtari do të luajë në shtëpi. Për ish-drejtorin e klubit, nuk duhet të gabohet më, ndërsa Bylisin e sheh si një skuadër që do t’u hapë punë, por rruga është vetëm fitorja.

laluci

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ish-drejtori Laluci beson te rikthimi, nisur edhe nga ndryshimet që ka sjellë trajneri Françesko Moriero, megjithëse ka rezerva për skemën e zgjedhur nga italiani.

Laluci, Flamurtari fitoi me Vllazninë, por humbi me Elbasanin. Cili është komenti juaj?

Në mentalitetin tonë si vlonjatë nuk është çudi, sepse ne gjithmonë jemi mësuar me fitore, pavarësisht humbjeve që kemi pasur. Ne gjithmonë besojmë te fitorja. Nga ndeshja e fundit mendoj se tifozët mbetën të zhgënjyer, pasi ne nuk e pranojmë dot humbjen në qytetin tonë. Në ndeshjet brenda, me cilindo ekip si Partizani, Dinamo apo Vllaznia e asaj kohe, që ishin të frikshëm, ne gjithmonë fitonim.

Pse atëherë ekipi fitonte dhe tani jo?

Pse i kemi fituar? Në bazë të atij mentaliteti. Ky ekip duhet të mësohet që ndeshjet brenda në Vlorë të paktën minimalisht të mos humbasin. Këta u familjarizuan me humbjen tani. Në 10 ndeshje, ti ke 7 humbje. Duhet ndryshim urgjent!

A mund të rikthehet ky Flamurtar?

Nuk e kemi humbur shpresën. Skuadra ka ndeshje me rivalë direkt, që janë Bylisi, Tirana, Vora dhe Partizani. Këto i kemi në fushën tonë dhe duhet me patjetër t’i fitojmë. Por këto nuk fitohen me frymën e shenjtë. Këto fitohen duke u përgatitur, duke u stërvitur.

Besoni te fitorja në tri sfidat e radhës?

Unë mendoj se këto tri ndeshje që ne kemi në Vlorë do t’i fitojmë. Kemi një farë shprese. Nga sa kam parë, Bylisi ka një lëvizshmëri shumë të madhe në fushë. Duket qartë që ata, duke pasur një përgatitje shumë të mirë fizike, kompesojnë edhe difiçitetet në anën teknike. Është një ekip që do të na hapë shumë punë, sepse vrapojnë shumë.

Bylisi ka ekip shumë të mirë. Nuk i takon të jetë në atë vend që është. Ka bërë ndeshje shumë të forta. Mobilizimi ynë duhet të jetë maksimal, pasi ne e kemi rival direkt. Me çdo kusht nuk duhet të bëjmë pyetjen, do fitojmë apo jo. Me Bylisin duhet fitore e padiskutuar, nuk ka më! Nuk duhet të gabojmë më!

Çfarë ka sjellë trajneri Françesko Moriero, ndihet ndryshimi?

Trajneri Moriero në të dy ndeshjet ka luajtur me pesë në mesfushë. Por e dini ku është problemi? Ne po vihemi në mënyrë skematike, nuk kemi lëvizshmërinë e duhur për t’i dhënë jetë asaj skeme. Mua më pëlqen kjo mënyrë, por lojtarët nuk na kthehen.

PANORAMASPORT.AL