Ndeshjet derbi i sjellin fat, Dinamo “ndez” motorët
Dinamo do të përballet të hënën me Partizanin në kuadër të javës së 27-të të Superiores. Ndeshja me Partizanin është edhe e fundit për fazën e tretë të kampionatit dhe e gjen Dinamon në një moment më të mirë seç ishte, duke qenë se dy fitoret e fundit kanë rikthyer qetësinë në kampin blu.
Të besuarit e Dajës bindën dhe dominuan ndaj Tiranës në Kupën e Shqipërisë duke fituar sërish 2-0 ashtu siç bënë në ndeshjen e parë, por më shumë se fitorja, ka bindur paraqitja e skuadrës blu në fushë. Rastet e shumta dhe siguria në prapavijë, janë padyshim mesazhi më i fortë që ka marrë Daja nga derbi, përtej faktit se skuadra ka shkuar në gjysmëfinale duke hedhur një tjetër hap të madh drejt trofeut që aktualisht njeh Dinamon si fituesen në fuqi. Megjithatë, të hënën e pret një takim i vështirë kundër Partizanit skuadrën e Dajës pasi përballë do të ketë një nga skuadrat më në formë të momentit, por historiku i ndeshjeve derbi këtë sezon, i jep Dinamos “komoditetin” të jetë pak më e qetë nëse sheh statistikat.
NDESHJET DERBI- Këtë sezon Dinamo ka pasur disa ndeshje derbi dhe së bashku me Tiranën, janë skuadrat që kanë luajtur më shumë ndeshje të qytetit. Blutë e Dajës kanë qenë me fat duke qenë se deri më tani, kanë barazuar vetëm një herë kundër Tiranës në kampionat dhe të gjitha të tjerat i kanë fitore. Kështu, në fazën e parë Dinamo ka fituar kundër Tiranës dhe Partizanit, apo edhe kundër Vorës nëse e konsiderojmë Vorën si skuadër të kryeqytetit.
Në fazën e dytë, Dinamo ka bërë të njëjtën ecuri duke fituar sërish 3 ndeshje, ndërkohë që situata ndryshoi pak në fazën e tretë. Dinamo barazoi me Tiranën në kampionat por fitoi dy herë të tjera në Kupë, e njëkohësisht fitoi kundër Vorës. Të hënën, Dinamo do të tentojë të ruajë këtë ecuri pozitive me ndeshjet përballë skuadrave që i përkasin qarkut të Tiranës.
PANORAMASPORT.AL













