Ndërprerja e kampionatit frymëmarrje për Vorën, Marinaj: Kupa një shans për minutazh për ne të rinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2025 | 23:20

Ndërprerja e kampionatit frymëmarrje për Vorën, Marinaj: Kupa një shans për minutazh për ne të rinjtë

Vora e konsideron humbjen me kampionët, si aksidentale dhe tashmë është lënë pas, duke ju nënshtruar përgatitjeve për dy përballjet e javës së ardhshme, ku të mërkurën do të ketë përballjen e kupës, kundër Maliqit dhe të hënën dhe të dielën e 19 tetorit do të përballet në “Elbasan Arena” kundër skuadrës së atij qytetit.

auto_221723205181

Për këto dy takime trajneri Bellaj, po mundohet që të vërë në dispozicion dy formacione krejtësisht të ndryshme, në mënyrë që lojtarët të cilët kanë shfaqur probleme dëmtimi të mund të rikuperohen e të jenë në gjendje optimale pas 10 ditësh në ndeshjen e javës së 7-të të superiores.

Kështu që po përgatit disa të rinj, që ende nuk kanë marrë minutazhin e duhur në këto ndeshje të para të superiores, siç është mbrojtësi Marinaj apo Xhabafti, por edhe portieri Harizaj, që ende nuk e kanë bërë sefte këtë sezon. Lojtarë si Tabaku, Barjamaj, Dalipi, Luis Felipe që kanë pasur dëmtime të lehta po i nënshtrohen regjimit, duke bërë stërvitje të diferencuar, në mënyrë që të rimarrin veten gjatë kësaj jave e në javën e ardhshme ata të jenë në gjendje për formacionin anti Elbasan.

Lidhur me ndeshjen e Kupës, ku Vora do të ketë një përballje të lehtë kundër Maliqit dhe kërkon të shkojë sa më larg në këtë kompeticion, për të plotësuar edhe dëshirat për minutazh të të gjithë grupit të lojtarëve që ka në dispozicion, do të aktivizojë lojtarë më shumë nga të rinjtë si Rejmond Marinaj, që e ka vitin e tretë tek Vora. 18- vjeçari me rolin e qendërmbrojtësit ende nuk ka gjetur hapësira për të ushtruar këtë rol. Ai, për “Panorama Sport” u shpreh:

“Dihet që tek Vora konkurrenca është e madhe dhe aq më shumë në një nivel si në superiore, pasi ka shumë lojtarë të njëjtit rol, që nuk kanë diferenca dhe dallimin e bën vetëm forma dhe gjendja shëndetësore në prag ndeshje.

Megjithatë shpresoj që të kem një aktivizim në këtë ndeshje kundër Maliqit, e cila nëse do të luaj do të jetë dhe e para për këtë sezon. Unë gjithmonë edhe sezonin e shkuar jam munduar që të bëj më të mirën për Vorën, por ende më duhet shumë punë për të zënë një vend në formacionin titullar, për të cilën unë po mundohem që të bëj gjithçka”.

A. DUSHKU – PANORAMASPORT.AL