Nderohet Kujtim Majaci, bust për legjendën fierake
Sheshi qendror i qytetit të Fierit dje i ngjante një stadiumi të stërmadh. Ai ishte mbushur nga qindra njerëz të moshave dhe profesioneve të ndryshme për të respektuar e kujtuar legjendën e futbollit të qytetit të tyre, Kujtim Majacin, i cili u nda papritur nga jeta 5 vjet më parë. Kishte mes tyre familjarë, shokë, miq dashamirës dhe sportdashës të shumtë fierakë, por edhe nga rrethet e tjera që kishin luajtur së bashku në fushën e blertë. Nuk munguan dhe deputetë, drejtues të pushtetit vendor si dhe përfaqësues të federatës së futbollit, kryesuar nga presidenti Armando Duka si dhe të presidencës së Shqipërisë. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Duka së bashku me djalin Albi, të të ndjerit Majaci kanë zbuluar shtatoren e këtij të fundit. Salla kryesore e teatrit “Bylis” u mbush më pas plot e përplot ku vazhdoi ceremonia në kujtim të legjendës së futbollit fierak. Pas shfaqjes së një dokumentari për jetën e tij familjare shoqërore e sportive, fjalëve të të ftuarve që përcollën kujtime të shumta, radha i erdhi të dërguarit të presidencës, i cili, në emër të presidentit Bujar Nishani, i dorëzoi djalit të të ndjerit medaljen me të cilin presidenti e dekoron pas vdekjes me titullin “Mjeshtër i madh”, për kontributin e shquar në futboll. Për klasin dhe korrektësinë e treguar në fushën e lojës. Majaci gdhendi emrin e vet në qilimin e blertë. Emri i Kujtim Majacit është kujtuar dje dhe është brohoritur si dikur në stadium kur biletat për të parë lojën e tij dhe të Apolonisë shiteshin me autorizime. Emri i tij është i lidhur ngushtë me historinë e Apolonisë.
Mikel Mbriçaj













