“Na ka rënë një fund i egër”, Tetova: Nuk e kam luksin të menaxhoj titullarët, ju tregoj repartin që po “çalon” më tepër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2025 | 16:47

“Na ka rënë një fund i egër”, Tetova: Nuk e kam luksin të menaxhoj titullarët, ju tregoj repartin që po “çalon” më tepër

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, doli në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të supersfidës që skuadra e tij do të luajë ditën e nesërme ndaj Partizanit. Në prononcimin e tij, tekniku durrsak ndër të tjera deklaroi:  

tetova

“Mendoj që ndaj Partizanit, është një përballje që kërkon impenjim maksimal, për të ruajtur vendin e parë dhe për të pasur një vazhdimësi sepse vijmë nga dy humbje, si në Kupë me Partizanin ashtu dhe në kampionat me Elbasanin.  

Reparti që po “çalon” më tepër është mbrojtja, aty duhet të vendosim theksin. Sërish kemi mungesa në mbrojtje, mungon Xhemajli, pas dëmtimit në Kupë me Partizanin. Edhe nesër nuk është i pranishëm. Duke shtuar këtu Malotën edhe Ndrecën po në mbrojtje. Mendoj që me pak kujdes do të bëjmë diçka.  

Ka fund të mirë, por ka edhe fund të egër, në këto momente na ka rënë një fund i egër për vetë faktin që të dyja skuadrave iu duhen pikët e plota. Mendoj që do të jetë një ndeshje me goxha luftë sportive. 

Nuk e kam luksin të menaxhoj titullarët. Jemi me mungesa, duhet të operojmë diçka me mesfushorët në mbrojtje, por mendoj që duhet të kapim ritmin për të qenë sa më të gatshëm për finalet e “Final 4”. 

Sigurisht që impenjimi zbehet kur t’i ke siguruar diçka. Do të kërkojmë nga vetja që të kemi ecuri të mirë, për të qenë sa më në fortë në finale.  

Çdo fundsezon ka impenjime, kur bëhet fjalë për finalet. Çdo lojtar ka opsionin shtesë, për të bërë më mirë, për të qenë më i sigurtë dhe për të ruajtur skuadrën.  

Të mbyllësh një maratonë në vendin e parë, sigurisht që ka benefitet e veta, në momentin që merr revanshin. Mirë është që t’i ta mbyllësh i pari. Në finalet, vendi i parë dhe i dytë, ka goxha suport me barazimin, për të pasur një performancë sa më të mirë.  

Forca jonë është grupi, këtë e kemi cilësuar nga fillimi, do vazhdoj ta theksoj që Egnatia është grup”, përfundoi Tetova.  

PANORAMASPORT.AL