Mungon mesfushori i pezulluar, por Partizanit i kthehen dy titullarë ndaj Flamurtarit. Si pritet rreshtimi i të kuqve pa trajner

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2026 | 11:16

Mungon mesfushori i pezulluar, por Partizanit i kthehen dy titullarë ndaj Flamurtarit. Si pritet rreshtimi i të kuqve pa trajner

Partizani zbret sot në fushë në “Arenën e Demave” për të përballuar Flamurtarin, në një sfidë që vjen në një moment delikat për skuadrën kryeqytetase, jo vetëm për rëndësinë e pikëve në këtë fazë të sezonit, por edhe për zhvillimet e fundit në pankinë.

PARTIZANI

Kjo ndeshje do të jetë e para për të kuqtë pa trajnerin Oltijon Kërnaja, pas vendimit të drejtuesve për të ndërprerë bashkëpunimin, ndërsa drejtimi i skuadrës i është besuar përkohësisht Realf Zhivanajt, i cili do të ketë detyrën të rikthejë qetësinë dhe të menaxhojë ekipin në këtë moment të vështirë. Ndryshimi në stol pritet të sjellë edhe një reagim nga skuadra, e cila do të kërkojë të japë një sinjal pozitiv në fushë, sidomos përballë një kundërshtari si Flamurtari që lufton për objektivat e tij dhe nuk pritet të jetë aspak i lehtë për t’u kaluar.

Në aspektin e formacionit, Partizani do të ketë disa lëvizje të detyruara, por edhe rikthime të rëndësishme që mund të ndikojnë në balancën e skuadrës dhe në mënyrën e lojës. Mesfushori Arafat Dumbia do të mungojë në këtë përballje për shkak të kartonëve, një mungesë që prish disi ekuilibrat në repartin e mesfushës, duke qenë se ai ka qenë një element i rëndësishëm në prishjen e aksioneve kundërshtare dhe në tranzicionin e lojës.

Megjithatë, lajmi pozitiv për stafin teknik është rikthimi nga pezullimi i dy titullarëve, Redon Ismaili dhe Altin Bytyçi, të cilët pritet të marrin menjëherë minuta dhe të rikthejnë stabilitetin në repartet respektive. Ismaili në mesfushë ofron organizim dhe qartësi në ndërtimin e aksioneve, ndërsa Bytyçi në mbrojtje sjell siguri dhe eksperiencë, elementë që mund të rezultojnë vendimtarë në një ndeshje të tillë.

Përballja ndaj Flamurtarit mbetet shumë e rëndësishme për Partizanin, që synon të rikthehet te rezultatet pozitive dhe të mbajë gjallë objektivat e sezonit, në një kohë kur çdo hap fals mund të kushtojë shtrenjtë. Në një situatë të tillë, mbetet për t’u parë reagimi i skuadrës në fushë, si do të përgjigjen lojtarët ndaj ndryshimeve të fundit dhe nëse do të arrijnë të shfrytëzojnë faktorin fushë për të marrë një rezultat pozitiv.

Screenshot 2026-05-02 111410

PANORAMASPORT.AL