Mungesat “trembin” Egnatian, Ndreca mbetet enigma e madhe ndaj Partizanit
Egnatia kërkon të ringrihet sa më shpejt pas humbjes me Elbasanin dhe në tërësi rezultateve jo të mira në javët e fundit.
Rezultate që në njëfarë mënyre i kanë vënë në rrezik shkuarjen në finalen e kupës dhe nuk kanë ende asgjë të sigurt sa i përket faktit që në “Final 4” të kenë hyrë me petkun e skuadrës së vendit të parë. Për këtë arsye, ndaj Partizanit ditën e nesërme, të besuarit e Edlir Tetovës do të kërkojnë të marrin maksimumin. Së pari, të tregojnë se humbja në kupë ishte një aksident dhe së dyti, të blindojnë një herë e mirë edhe vendin e parë, për të mos ia lënë gjithçka javës së fundit.
PROBLEMI ME MUNGESAT – Nëse Egnatia ka humbur disi nga shkëlqimi i saj i pak javëve më parë, kanë ndikuar edhe mungesat e shpeshta, diçka që e ka theksuar edhe vetë tekniku Tetova. Për momentin, në “pit-stop” kanë mbetur tre prej tyre: Renato Malota, Eljon Sota dhe Edison Ndreca. Të tre mbrojtësit munguan ndaj Elbasanit. Mirëpo, Malota thuajse ka qenë më shumë jashtë, ndërsa Sota i afruar në merkaton e janarit ka pasur pak ndeshje në dispozicion. Praktikisht, janë lojtarë pa të cilët Tetova ka ditur të bëjë deri më tani. Më herët, në ndeshjet e fundit ka pasur probleme edhe Albano Aleksi, por për fat të mirë është rikuperuar dhe po luan me minuta të plota. Pa harruar as problemet që javë pas jave kanë pasur edhe me lojtarët që mbushin numrin e kartonëve. Të paktën, ndaj Partizanit nuk ka asnjë të dënuar për këtë arsye.
SHQETËSON NDRECA – Ai që ka qenë titullar i padiskutueshëm ka qenë Ndreca në krahun e majtë. Edhe pse Tetova e ka zëvendësuar me Alijev në krah, duket se nuk ia ka arritur dot t’i marrë maksimumin këtij të fundit. Për herë të fundit, Edison Ndreca ka qenë në fushë në përballjen ndaj Partizanit më 15 shkurt, ku e kanë mundur 2 me 0. Pas atij takimi ai nuk ka luajtur më për shkak dëmtimi dhe si për ironi, këtu nis edhe rënia e Egnatias. Në tetë ndeshje në kampionat ka marrë vetëm dy fitore, katër barazime dhe dy humbje. Në Kupë, kanë barazuar një herë me Bylisin dhe humbur me Partizanin. Shpresat janë që të paktën të jetë gati për fazën finale të “Final 4”. Një nga defektet e rrogozhinasve në merkato ka qenë pikërisht mungesa e një dublanti për krahun e majtë të prapavijës, ndaj edhe mungesa e Ndrecës po i hap jo pak probleme Tetovës. Për më tepër që mbrojtësi ka shënuar edhe pesë gola këtë edicion.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













