Mungesat bien në sy, por Geci është optimist: Vora ia del ndaj Flamurtarit
Vora nga dje nisi përgatitjet për ndeshjen e radhës, që do ta zhvillojë në Laç kundër Flamurtarit. Edhe pse nuk është në kondicionin e duhur për shkak të mungesave, Vora ka ditur të tregojë se të gjithë lojtarët që ndodhen në dispozicion të trajnerit Bellai nuk kanë diferenca mes tyre, ku secili e kryen rolin ashtu siç kërkohet në çdo ndeshje. Dihet që mungesa kryesore e titullarit golashënuesit më të mirë, Manfredas Ruzgis, nuk e ka zbehur sulmin e Vorës, sepse Vora ka ditur të shënojë edhe pa të, ku janë 4 gola në tre ndeshje, më shumë se një gol për ndeshje.

Po kështu, mungesa e Françesko Hasajt, që po vuan pas operacionit, është mbuluar mjaft mirë nga brazilianët e ardhur në këtë merkato tek Vora. Dy mungesat e tjera të Vorës janë gati, pasi kapiteni Xhuljo Tabaku u aktivizua në ndeshjen kundër Teutës. Edhe pse jo në kondicionin e duhur, ai arriti t’i jepte një pikë Vorës me atë gol të shkëlqyer në Durrës. Po kështu, gati është Barjamaj, që u aktivizua në Durrës dhe së bashku me Tabakun kryen më së miri rolin e mesfushës, duke i dhënë ritmin e duhur skuadrës.
Gjithashtu, aktivizimi i Gecit në kohën shtesë të pjesës së dytë të ndeshjes me Teutën bëri regjistrimin e emrit të tij në ndeshjen e parë të këtij sezoni, edhe pse aktivizimi i tij ishte vetëm për një minutë lojë. Ndërkohë, 24-vjeçari kryeqytetas, që e ka sezonin e dytë me Vorën, Segerso Geci, e sheh ndeshjen e radhës kundër Flamurtarit si një tjetër detyrë për t’u kryer në ecurinë pozitive të Vorës, debutueses më të re të Superiores.
Ai për “Panorama Sport” foli për ndeshjen e radhës. “Ishte aktivizimi im i parë në ndeshjen ndaj Teutës, kjo jo pse nuk ka pasur hapësira për mua, por nuk kam qenë në kondicionin e duhur shëndetësor, pas dëmtimeve që pata gjatë miqësoreve në fazën përgatitore. Por edhe konkurrenca tek Vora është shumë e madhe, pasi lojtarët nuk kanë shumë diferenca me njëri-tjetrin, dhe patjetër që të jesh i përkushtuar, të japësh më shumë nga vetja, por duhet të jesh edhe i disponueshëm nga të gjitha anët, në kondicionin fizik po ashtu edhe në atë shëndetësor.
Lidhur me takimin ndaj Flamurtarit, duhet që ekipi i Vorës, ashtu siç e ka synimin për fitore, të hyjë me këtë mentalitet edhe në këtë takim. Dihen cilësitë e Flamurtarit, pavarësisht se ne jemi dy skuadrat debutuese. Të dyja skuadrat tona jemi të përforcuara dhe pritet të jetë një ndeshje e bukur dhe e fortë, por në fund gjithmonë fitojmë ne”, tha ai.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













