Mundi kryesuesit e Elbasanit, zëvendëstrajneri i Bylisit: Kanë mangësitë e tyre dhe i shfrytëzuam, kemi finale me Vorën
Arlind Rustemi, zëvendëstrajneri i Bylisit, ishte në pankinë sot në vend të Mirel Josës së pezulluar pas kartonit të kuq dhe drejtoi ekipin në fitoren 3-2 ndaj Elbasanit.

“Sot duhet të përgëzoj çunat për ndeshjen që zhvilluam, kemi zhvilluar ndeshje me intensitet të lartë, luajtëm me guxim. Kur shënon tre gola, është meritë e grupit, zbaton detyrat dhe atë që kemi përgatitur gjatë javës. Vërtetë Elbasani ka qenë ekip kompakt në mbrojtje, por ka mangësitë e veta dhe u munduam t’i shfrytëzonim dhe ua shpërblyem me tre pikët.
Ne kishim përgatitur krahun e djathtë, duke ditur cilësitë e Kamara, një lojtar që shtyn dhe ka cilësi në fazën ofenisve. Bashkuam edhe Përgjonin e Malomon për të krijuar superioritet numerik. Në momentin që doli Lila, ne shfrytëzuam disa momente me pasime pas shpinës, me shpejtësinë e Koxhit. Nuk është se e kishim përgatitur vetëm aty, por ndonjëherë loja rrjedh sipas mënyrës dhe gjendjes që kanë lojtarët. Përgëzoj çunat se kanë bërë një ndeshje të mirë e shpresojmë të vazhdojmë, ka pasur shumë ndeshje ku kemi zhvilluar lojë të mirë.
Në pushim ishim 1-0 dhe gjithmonë i kërkuam skuadrës të ngrihet lart, të mos i lënë terren Elbasanit dhe shënonim golin e sigurisë. Edhe pse shënuam 2-0, na rrezikuan me standarte dhe ngushtuan dy herë diferencën ashtu. Por normalisht ekipi zbret në mënyrë të pavetëdijshme poshtë, nuk ia kërkuam. Por ta shihni gjatë gjithë kohës i udhëzova të shkonin lart që të mos i linim mundësinë Elbasanit të shkonte në zonat e rrezikut.
Për ne të gjitha janë finale, duke i marrë një nga një. Duke parë renditjen e klasifikimit, me Vorën është një nga më të rëndësishme, përballje direkte, shpresojmë të marrim tre pikët dhe të jemi të qetë për të ardhmen”, tha Rustemi për RTSH pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL













