Mposhtën Tiranën dhe Dinamon, titullari i Bylisit: Ia dalim edhe në fushën e Laçit
Bylisi kalon në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë duke eliminuar një nga rivalët potencialë për fitimin e trofeut siç edhe është skuadra e Tiranës. Flamur Ruçi heroi i fitores dhe suksesit me bardheblutë ka dhënë edhe një intervistë për “Panorama Sport”, teksa ai thekson se skuadra duhet që të fokusohet tashmë te kampionati.

Ruçi e kërkuat golin me Dinamon dhe e gjetët ndaj Tiranës… E vërtetë nuk ishte fati me mua në atë duel, por Zoti është i madh, e rëndësishme është që me besim dhe punë ja del. U futa me besim se do të gjeja golin ndaj Tiranës dhe e realizova edhe me ndihmën e shokëve. E rëndësishme është që erdhi në një moment mjaft delikat të asaj sfide dhe që rezultoi shumë deçiziv, ne u kualifikuam dhe e merituam.
Ruçi luan sezonin e 5-të me Bylisin, ju shohim që të shënoni gola spektakolarë… Po, është e vërtetë. Më pëlqen që të shënoj gola të atillë sidomos ndaj skuadrave të mëdha. Janë gola që të japin emocione të veçanta. Por kur skuadra ka sukses golat vlejnë dygolësh. Te Bylisi ndihem shumë mirë dhe më i ambientuar se kurrë këtë sezon jam duke kaluar një moment mjaft të mirë. Ndoshta edhe eksperienca tashmë është edhe më e madhe e kështu që unë jam mjaft i lumtur që çdo gjë po shkon më së miri.
Cilat janë synimet që i keni vënë vetes në këtë kampionat? Të luaj sa më shumë, por dua që të ndihmoj skuadrën në shënimet që kemi këtë sezon. Siguruam kualifikimin në Kupën e Shqipërisë mes emocioneve të mëdha. Tashmë duhet që të përqendrojmë forcat dhe kthejmë vëmendjen nga kampionati. Gara është delikate dhe unë kam besim se do të ecim edhe në Superiore. Në këtë pjesë të dytë të gjitha sfidat janë delikate.
Transfertë sërish, por në kampionat me Laçin. Si e sheh këtë sfidë? Shiko, nuk ka më tabu në shtëpi apo transfertë. Në çdo stadium e kemi parë të gjithë se luhet futboll, bëhen ndeshje të bukura dhe në fund fiton ai që e meriton. Ne po përgatitemi që të jemi në formë dhe të bëjmë maksimumin në Laç. Pastaj le ta vendosë fusha që ajo skuadër, e cila do të paraqitet më mirë dhe të jetë më në formë le ta meritojë suksesin.
Sa ka ndryshuar Bylisi javët e fundit? Po skuadra ka rritje, por nga klubi dhe stafi na është kërkuar që të jemi me “këmbë në tokë”. Ne duhet që të vlerësojmë njësoj çdo ndeshje dhe çdo kundërshtar. Janë shumë pikë në lojë dhe ne duhet që të grumbullojmë sa më shumë pikë sepse skuadra dhe djemtë janë të etur për pikë. Bylisi do të jetë më i fortë se në pjesën e parë të garës.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













