MOVIOLA E JAVËS SË 6-TË E SUPERIORES/ VAR-i nën presion, dy gabime në Shkodër dhe Durrës
Java e fundit e Superiores ka sjellë një tablo të qartë për funksionimin e teknologjisë VAR në futbollin shqiptar. Nga përvoja të suksesshme në disa fusha, deri te dështimet teknike që ngrenë pikëpyetje serioze mbi standardet e zbatimit të saj.

Pesë ndeshje, pesë skenarë të ndryshëm, por një temë e përbashkët, gjykimi dhe roli i sistemit VAR. Analiza e javës tregon se VAR-i në Shqipëri ende nuk ka uniformitet në përdorim. Në disa fusha është përdorur si ndihmës teknik efikas, ndërsa në të tjera është “pushuar” ose ka dështuar teknikisht.
Në thelb, problemi nuk qëndron vetëm te teknologjia, por te mënyra e menaxhimit, interpretimit dhe trajnimit të arbitrave që e përdorin. Nëse FSHF synon të arrijë standardet europiane, duhet të garantojë që VAR-i të funksionojë njësoj për të gjithë, jo si luks në disa ndeshje dhe si mungesë në të tjera.
PARTIZANI – TIRANA 0-3
Golat: Falaje 19′, Patsatsia 32′ (11-m), Tabeku 75′
Gjyqtarë: E. Hamitaj, I. Tartaraj, A. Kociaj ; VAR: K.Barjamaj ; AVAR: K. Cjapi
HAMITI I “BËN TË GJITHA VETË” Derbi “Partizani–Tirana” prodhoi jo vetëm surprizën e madhe në rezultat (0-3 për bardheblutë), por edhe një shembull të rrallë ku arbitri mori në dorë fatin e çdo vendimi pa ndihmën direkte të monitorit. Hamiti, që gjykoi me autoritet, mbështeti vendimet e tij vetëm në komunikimin me dhomën e VAR-it, pa e ndalur asnjëherë lojën për rishikim pamjesh.
Penalltia e minutës së 29-të, e fituar nga Patsatsia pas një ndërhyrjeje të Markut, u cilësua e drejtë, ndërsa në episodin e minutës së 59-të mes Skukës dhe Solerit, gjyqtari mbajti qëndrim të prerë, duke akorduar faull në sulm.
Në këtë takim, VAR-i u përdor vetëm si mjet verifikimi në kufje, pa ndikim të drejtpërdrejtë në ndryshimin e ndonjë vendimi. Një arbitrim i kujdesshëm, por që tregoi kufijtë e përdorimit minimalist të teknologjisë në ndeshjet e mëdha.
TEUTA-BYLISI 1-0
Golat: Votlai 62’
Gjyqtarë: E. Çelaj, D. Korreshi, M. Llukmani; VAR: E. Jorgji; AVAR: S. Dyrmishi
GABIM I DYFISHTË NË “NIKO DOVANA” Ndeshja Teuta–Bylis (1-0) zbuloi anën tjetër të medaljes. Në minutën e 62-të, goli i vetëm i takimit erdhi pas një faulli të qartë të Fadairo ndaj Abazajt në nisje të aksionit. Topi, pas një devijimi të këtij të fundit, përfundoi në rrjetë, por as gjyqtari dhe as sistemi VAR nuk e ndalën lojën për të rishikuar momentin. Një gabim i pastër gjykimi, që nxjerr në pah mungesën e ndërhyrjes automatike të teknologjisë edhe në situata të qarta faulli në sulm. Diçka që, në nivele më të larta të futbollit europian, konsiderohet element bazë i analizës së VAR-it.
VORA – EGNATIA 0-1
Golat: F. Ruçi 17′
Gjyqtarë: E. Spahiu, R. Çokaj, J.Podgorica, I. Martini; VAR: K. Cjapi; AVAR: D. Vrapi
SAKTËSI NË VORA–EGNATIA Në kontrast me rastet e mësipërme, ndeshja Vora– Egnatia (0-1) ishte shembull i një gjykimi korrekt.
Në minutën e 30-të, dyshimet për një penallti në favor të Egnatias u qartësuan pas ndërhyrjes së VAR-it, i cili konfirmoi vendimin e gjyqtarit Spahiu se topi kishte prekur dorën e Shehit që ishte ngjitur me trupin. Një rast që tregon se teknologjia, kur përdoret në mënyrë të saktë dhe në kohë, ndihmon për të ruajtur ritmin dhe drejtësinë e lojës.
VLLAZNIA – ELBASANI 1-0
Golat: Jago 42’
Gjyqtarë: J. Xhaja, R. Avdo, O. Grabova; VAR: A. Doda; AVAR: E. Bastari
VAR-I FIKET NË “LORO BORIÇI” Në Vllaznia–Elbasani (1- 0), teknologjia u “dorëzua” që në minutën e 7-të. Dështimi i sistemit VAR në një nga stadiumet më të mëdha të vendit është një sinjal alarmi për gjithë projektin.
Në minutën e 89-të, ndërhyrja e Kubazit ndaj Lulajt mbeti vetëm me karton të verdhë, ndërsa pa pamjet filmike, arbitri Xhaja nuk mundi të vlerësonte ashpërsinë reale të goditjes. Një situatë që ka provokuar reagime të ashpra nga drejtuesit e Elbasanit dhe ka vënë në diskutim funksionimin teknik dhe organizativ të sistemit në “Shtëpinë e Futbollit”.
Në praktikë, ky ishte dështimi i parë i hapur i VAR-it këtë sezon, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi garancinë që teknologjia mund të ofrojë në kampionatin shqiptar.
DINAMO – FLAMURTARI 2-0
Golat: Guindo 45+3’, Nani 75’
GJYQTARË: K.Prenga, E.Doda, R.Zajmi; VAR: A.Koci; AVAR: K.Shahini
PRENGA DHE “VAR”-i NË “SELMAN STËRMASI” Krejt ndryshe në Dinamo– Flamurtari (2-0), ku VAR-i u bë protagonist absolut. Tre raste të diskutueshme, dy kartonë të kuq dhe një penallti e mundshme, u trajtuan me ndërhyrje të drejtpërdrejta të dhomës së sistemit.
Në rastin e Veigës, që ndali Guindon në dalje të portës, VAR-i e korrigjoi vendimin fillestar të gjyqtarit Prenga, duke e kthyer të verdhën në të kuqe.
Në minutën e 81-të, pas ndërhyrjes së ashpër të Farrukut ndaj portierit Aleksovski, vetëm monitori bëri që drejtësia të vihej në vend. Një shembull praktik se si teknologjia mund të korrigjojë gjykimet njerëzore dhe të ndikojë realisht në mbarëvajtjen e lojës.
PANORAMASPORT.AL













