Momenti i Partizanit, kuqezinjtë në “shënjestrën” e Kërnajës
Partizani kërkon fitoren e tretë radhazi në kampionat ndaj Flamurtarit në transfertë. Të kuqtë vijnë nga një moment shumë i mirë psikologjik pas dy fitoreve shumë të rëndësishme për llogaritë e klasifikimit, si ajo ndaj Bylisit e për më tepër në derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës me shifrat 2-0.

PËRBALLJET – Në dy sfidat e mëparshme të këtij sezoni me Flamurtarin, kryeqytetasit kanë bilanc pozitiv, duke i marrë gjashtë pikët e plota falë fitoreve 0-1 dhe 2-1. Këto rezultate i japin më shumë besim skuadrës përpara kësaj përballjeje, edhe pse transfertat gjithnjë kanë një tjetër lloj vështirësie.
MUNGESAT – Në këtë takim, Partizani nuk do të ketë në dispozicion Paulo Buxhelajn si dhe Arafat Dumbia, që kanë plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë, ndërsa mbetet në dyshim për shkak dëmtimi prezenca e David Fadairo, teksa sulmuesi nuk ishte pjesë e skuadrës edhe në dy ndeshjet e fundit, ndaj Elbasanit në Kupë dhe Tiranës në kampionat. Megjithatë, në krahun e djathtë të sulmit jep garanci Seku Sidibe, i cili ka treguar mjaft kualitet në këto ndeshje të para me Partizanin. Nga ana tjetër, organika e të kuqve është e plotë, teksa tashmë Atanaskoski ka lënë plotësisht pas dëmtimin, ndërsa grupit i është bashkuar edhe Preka.
KLASIFIKIMI – Aktualisht, Partizani mban vendin e pestë në tabelën e klasifikimit me 33 pikë, katër më pak se Teuta e vendit të katërt. Objektivi mbetet i qartë: afrimi me zonën “Final Four” dhe konsolidimi në pjesën e sipërme të renditjes. Çdo hap fals në këtë fazë të sezonit mund të kushtojë, ndaj fokusi është maksimal. Nga ana tjetër, Flamurtari mban vendin e parafundit në renditje me vetëm 20 pikë, po aq sa edhe Bylis i vendit të fundit, ndërsa një pikë më shumë ka Tirana e vendit të tetë. Skuadra vlonjate lufton për mbijetesë dhe pikët në shtëpi janë jetike për objektivin e saj.
Kjo e bën sfidën edhe më delikate për Partizanin, pasi përballë do të ketë një kundërshtar të motivuar dhe që do të kërkojë të shfrytëzojë çdo episod. Të kuqtë duhet të tregojnë maturi, organizim dhe efikasitet përpara portës, elementë që i shfaqën në ndeshjet e fundit. Forma e mirë e repartit ofensiv dhe siguria në prapavijë kanë qenë pikë kyçe në sukseset e fundit. Takimi në Vlorë pritet të ketë ritëm dhe intensitet, me të dyja skuadrat që do të luftojnë fort për objektivat respektive. Për Partizanin, tre pikët do t’i lejonin këtij momenti pozitiv të vazhdonte dhe do ta mbante skuadrën në garë të plotë për objektivin sezonal, duke e bërë dhe më interesante fazën përmbyllëse të kampionatit.
PANORAMASPORT.AL













