“Megjithëse jam shqiptar, do të mbështes Hajdukun”/ “Panorama Sport” zbardh shkrimin e gazetës kroate për Ervin Bulkun
Në botimin e së shtunës, 2 gusht 2025, “Panorama Sport” serviri vetëm pjesën hyrëse të shkrimit të gazetës “24 sata” në versionin on-line në lidhje me prononcimin e Ervin Bulkut, pasi i plotë shkrimi ishte në versionin print.

“Panorama Sport”, me burimet e saja, arriti që të sigurojë edhe shkrimin e plotë në versionin print të medias “24 sata”. Nëse në versionin on-line titulli ishte ndryshuar më vonë, duke e zbutur paksa deklaratën e zv.trajnerit të Kombëtares, artikulli në versionin print të gazetës mbetet një provë e pandryshueshme.
Titulli i madh i shkrimit është: “Megjithëse jam shqiptar, do të mbështes Hajdukun. Ja shkrimi i plotë i medias “24 sata” në lidhje me prononcimin e dhënë nga Ervin Bulku para ndeshjes Hajduk Split – Dinamo City:
“ISH-MESFUSHORI I HAJDUKUT ‘MEGJITHËSE JAM SHQIPTAR, DO TË MBËSHTES HAJDUKUN’ Spliti ka lojtarë shumë më të mirë se Dinamo City, thotë Ervin Bulku
Shkruar nga: TOMISLAV GABELIÇ
Hajduku në raundin e 3-të kualifikues të Ligës së Konferencës luan kundër ekipit shqiptar Dinamo City. Shqiptarët eliminuan Atletik Club d’Escaldes të Andorrës dhe për 7 ditë mbërrijnë në Split. Për pjesën më të madhe ata janë një klub i panjohur dhe ne kërkuam një ish-lojtar të Hajdukut, që është mjaft i njohur nga tifozët e Hajdukut, shqiptarin Ervin Bulku, i cili sot është ndihmës trajner në stafin e Kombëtares shqiptare të futbollit. – “Hajduku është favoriti. Është një klub më i madh, ka një buxhet shumë më të madh dhe lojtarë më të mirë, kështu që çdo gjë përveç një fitoreje të Hajdukut do të ishte një surprizë e madhe”, na tregon Bulku, i cili më pas shton:
– “Nga natyra e punës sime, unë ndjek të gjitha klubet që kanë lojtarë të kombëtares shqiptare, kështu që e kam ndjekur edhe Hajdukun për shkak të Adrion Pajazitit. Por kjo nuk është lajm për mua, pasi gjithmonë e kam ndjekur Hajdukun, që kur kam luajtur në Poljud”. Bulku mbërriti te Hajduku në dimrin e vitit 2010 dhe brenda një viti luajti 24 ndeshje dhe shënoi një gol. – “Ishte viti më i mirë i mundshëm për një lojtar që erdhi në Poljud, ishte koha kur Hajduku festonte 100-vjetorin e tij, ne luajtëm edhe në Europa League. Debutova kundër AEK.
Këto janë përvoja të mrekullueshme që i kujtoj me dashuri, si dhe njerëzit e dashur që më pritën shumë mirë. Nga trajnerët Poklepoviç dhe Vuçeviç te magazinieri Miro Çolak dhe kuzhinierja Dragana Klariç. Do të kisha shumë dëshire ti shihja në Poljud, që e ndiej si shtëpinë time, ku kam luajtur 1 vit. Do të vij në Elbasan në kthim, por ende nuk kam vendosur nëse do të vij në Split…”
Bulku nuk e fsheh se do të mbështesë ekipin e Splitit në ndeshjen midis Hajdukut dhe Dinamo City. – “Dinamo City është një klub, që është rival i Tiranës, për të cilin kam luajtur. Marrëdhënia midis Tiranës dhe Dinamo City është si marrëdhënia midis Hajdukut dhe Dinamos në Kroaci…”. Sa i përket Cityt, Bulku thotë se ata mund të jenë të ndërlikuar, por se nuk janë në nivelin e Hajdukut. Ata kanë një president të ri, që po përpiqet t’i vërë në lëvizje, por problemi i tyre i madh është se shpesh shesin lojtarë.
– “Ata i luajnë ndeshjet e tyre evropiane në Elbasan, që është rreth njëzet minuta larg me makinë nga Tirana. Stadiumi është i shkëlqyer, fusha gjithashtu, kushtet do të jenë të shkëlqyera. Dinamo ka disa lojtarë të mirë si Baton Zabergja dhe Peter Itodo, të dy janë sulmues të shpejtë, por nuk janë aq të rrezikshëm sa Livaja. Besoja se Rakitiç dhe ai do ta çonin Hajdukun drejt titullit vitin e kaluar. Ndoshta këtë vit Livaja dhe Rebiç do ta bëjnë të mundur…”.

Dinamo City dikur quhej Dinamo Tirana (deri në vitin 2023) dhe pasur edhe trajnerë kroatë, si Luka Bonaçiç (2005/2006) dhe Zlatko Daliç (2008/2009). Nga futbollistët kroatë kanë luajtur, Kastel, Çaval, Bodrushiç. Klubi i Dinamos ka qenë në ligën e dytë për nëntë vjet, por ka tre vite si pjesë e ligës elitare. Sipas ‘Transfermarkt’, skuadra e Dinamos vlen 7.1 milionë euro, ndërsa Hajduku vlerësohet 41.3 milionë euro”.
PANORAMASPORT.AL













