Mbrojtja e Vllaznisë më e kritikuara, në verë pritet të ndryshojë/ Ja kush do të jetë lideri
Reparti më i kritikuar gjatë sezonit që u mbyll te Vllaznia, ka qenë mbrojtja. Kjo pasi shkodranët ishin një ndër ekipet më të ndëshkuara në kampionat, me 39 të pranuar në portën e tyre pas 36 raundesh në Superiore, pa përfshirë edhe 5 golat e pësuar në ndeshjet e “Final 4” përballë Dinamos dhe Egnatias. Pikërisht nga një fakt i tillë, riformatimi i skuadrës shkodrane do të nisë nga ky repart.

NË DYSHIM – Dy emra si Marko Juriç dhe Milosh Stojanoviç, që kanë mbajtur peshën kryesore të prapavijës në edicionet e fundit, janë me valixhe në duar. Madje largimi i tyre nga kuqeblutë duket vetëm një çështje kohe. Synimi i drejtuesve është afrimi i dy qendërmbrojtësve me eksperiencë dhe që garantojnë cilësi në prapavijë. Së bashku me Pusin dhe Repajn ata mund të jenë katërshja sezonale e skuadrës shkodrane.
KRAHËT – Në anët e mbrojtjes duket se nuk do të ketë lëvizje të mëdha, ku Gurishta pritet të jetë një nga pikat e forta në të djathtë dhe kontrata e 30-vjeçarit pritet të rinovohet. Po ashtu, kërkohet një zëvendësues në rolin e mbrojtësit të djathtë. Në të majtë, Jago ka një kontratë të vlefshme edhe për sezonin tjetër. Braziliani është vlerësuar për paraqitjet e tij në edicionin 2024-2025, teksa në këtë pozicion, një rol më të madh pritet të ketë edhe Spahija në edicionin që starton në gusht.
E. ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













