Mbijetesë dhe Europë, pikët jetike në kryeqytet/ “Demat” nuk e kanë më luksin për hapa fals
Partizani do të zbresë në fushë për ndeshjen e radhës në kampionat, ku në stadiumin e tij do të presë Flamurtarin në një sfidë shumë të rëndësishme për vazhdimësinë e sezonit dhe për objektivat që skuadra ka në këto javë të fundit të Superiores.

Takimi do të luhet në orën 16:00 dhe për të kuqtë kjo përballje konsiderohet si një mundësi e madhe për t’u rikthyer te fitorja në momentin më delikat të kampionatit. Skuadra e kuqe vjen në këtë ndeshje pas një serie negative në fazën e katërt, ku ende nuk ka arritur të marrë asnjë fitore. Në gjashtë ndeshjet e fundit, Partizani ka regjistruar tre barazime dhe tre humbje, një bilanc që ka ndikuar ndjeshëm në renditje dhe ka komplikuar jo pak objektivin për të siguruar pjesëmarrjen në “Final Four”.
JO MË HAPA FALS- Të kuqtë e dinë shumë mirë se në këtë fazë të sezonit nuk ka më vend për gabime dhe çdo pikë ka peshë vendimtare, sidomos kur gara për vendin e katërt mbetet shumë e fortë dhe rivaliteti me Dinamon është i hapur deri në fund. Pikërisht për këtë arsye, përballja ndaj Flamurtarit shihet si një ndeshje që duhet fituar me çdo kusht.
Nga ana tjetër, edhe Flamurtari vjen në këtë sfidë me nevojë të madhe për pikë, pasi vlonjatët janë të përfshirë në garën për mbijetesë dhe çdo rezultat pozitiv mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në fatin e sezonit të tyre. Kjo e bën ndeshjen edhe më të vështirë për Partizanin, pasi përballë do të ketë një kundërshtar që do të luftojë fort për çdo top.
STATISTIKAT- Megjithatë, bilanci i këtij sezoni flet qartë në favor të Partizanit, pasi të kuqtë i kanë fituar të treja ndeshjet e luajtura ndaj Flamurtarit, duke marrë nëntë pikë të plota dhe duke treguar superioritet në përballjet direkte.
Ky fakt përbën një avantazh moral për skuadrën e Partizanit, por në këtë moment të kampionatit statistikat vlejnë pak nëse nuk shoqërohen me performancë në fushë. Një tjetër lajm pozitiv për Partizanin është rikthimi në dispozicion i dy lojtarëve të rëndësishëm si Redon Ismaili dhe Altin Bytyçi, të cilët munguan në ndeshjen e fundit për shkak pezullimi nga kartonët. Të dy konsiderohen titullarë të rëndësishëm në formacionin e trajnerit dhe rikthimi i tyre i jep më shumë stabilitet skuadrës si në mbrojtje, ashtu edhe në repartin e mesfushës. Ismaili ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të këtij sezoni për Partizanin, duke dhënë ekuilibër në mesin e fushës dhe duke ndihmuar si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në organizimin e aksioneve sulmuese.
Po ashtu, Bytyçi mbetet një pikë e fortë në repartin defensiv dhe rikthimi i tij shihet si një plus i madh për këtë sfidë. Nga ana tjetër, për këtë ndeshje do të mungojë Arafat Dumbia, i cili është i pezulluar për shkak kartonësh. Mesfushori u ndëshkua në ndeshjen e fundit dhe do të detyrohet të qëndrojë pushim, duke i hequr një alternativë të rëndësishme trajnerit në një repart që kërkon shumë ekuilibër dhe intensitet.
MOMENTI VENDIMTAR- Pavarësisht kësaj mungese, rikthimi i Ismailit dhe Bytyçit qetëson ndjeshëm stafin teknik dhe rrit besimin se skuadra mund të reagojë në momentin e duhur. Partizani ka hyrë në fazën më vendimtare të kampionatit dhe çdo ndeshje tashmë ka vlerën e një finaleje.
Përballë Flamurtarit, objektivi është vetëm fitorja, jo vetëm për pikët dhe renditjen, por edhe për aspektin psikologjik, pasi një sukses do t’i jepte skuadrës më shumë qetësi dhe besim për dy ndeshjet e fundit të sezonit. Në një moment ku presioni është maksimal, Partizani kërkon të rikthehet te rezultatet dhe të mbajë gjallë ëndrrën për “Final Four”.
EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL













