Magnier fiton me sprint Etapën 18, Vingegaard lider në Xhiron e Italisë
Paul Magnier vazh don të shkëlqejë në Xhiron e Italisë 2026. Çiklisti francez i skuadrës Groupama fitoi etapën e 18-të të garës, një segment prej 171 kilometrash nga Fai della Paganella deri në Pieve di Soligo, duke regjistruar suksesin e tij të tretë në këtë edicion të Xhiros. 22-vjeçari arriti të rezistojë në ngjitjen e vështirë të Murit të Ca’ del Poggio dhe më pas dominoi sprintin final, falë edhe ndihmës së shokut të skuadrës, Jasper Stuyven.

Pas tij u renditën italianët Edoardo Zambanini, Jonathan Milan dhe Francesco Busatto. Me këtë triumf Magnier forcoi pozitat për fanellën ciklamin, e cila i jepet liderit të klasifikimit me pikë. Ai deklaroi pas garës se nuk e priste këtë sukses, duke theksuar se fitorja ishte edhe më emocionuese për këtë arsye. Etapa nisi me një shkëputje të katër çiklistëve, mes tyre Andrea Mifsud dhe Mattia Bais, të cilëve më vonë iu bashkuan James Shaë dhe Jonas Geens.
Megjithatë, grupi i mbajti gjithmonë nën kontroll dhe nuk lejoi që diferenca të kalonte dy minuta. Momenti më dramatik i etapës ndodhi rreth 50 kilometra nga fundi, kur portugezi Afonso Eulalio u rrëzua. Fatmirësisht, ai nuk pësoi dëmtime serioze dhe vazhdoi garën. Gjithçka u vendos në ngjitjen ikonike të Murit të Ca’ del Poggio, me pjerrësi deri në 19%. Jonas Vingegaard dhe skuadra Visma u shfaqën aktive në këtë segment, por sprinti final i dha sërish protagonizmin Magnier, i cili tregoi formë të shkëlqyer.
Në renditjen e përgjithshme nuk pati ndryshime të rëndësishme, por etapa e 19-të pritet të jetë vendimtare për fatin e Xhiros 2026. Segmenti nga Feltre drejt Piani di Pezze konsiderohet etapa “mbretëreshë” e garës, me 151 kilometra dhe rreth 5000 metra disnivel në zemër të Dolomiteve. Çiklistët do të përballen me ngjitje legjendare si Passo Duran, Coi, Forcella Staulanza dhe Passo Giau, pika më e lartë e këtij edicioni të Giro-s. Etapa do të mbyllet me ngjitjen finale drejt Piani di Pezze, ku pritet të vendoset shumë për fanellën rozë. Favoriti kryesor për të marrë kontrollin e garës mbetet danezi Jonas Vingegaard, i cili mund të bëjë hapin vendimtar drejt triumfit në edicionin e 109-të të Xhiros së Italisë.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













