Magani zbërthen Besën: E rikthejmë në elitë, lojtarët janë të karikuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2019 | 18:05

Magani zbërthen Besën: E rikthejmë në elitë, lojtarët janë të karikuar

Ndërprerja e gjatë e kampionatit ka detyruar Besën të zhvillojë disa takime miqësore. Verdhezinjtë barazuan fillimisht me Kombëtaren U20, gjatë së cilës munguan shumë titullarë dhe më pas mposhtën Kastriotin e Superiores 2-1.

gugash magani

Në të dyja takimet, trajneri Gugash Magani u pa shumë i impenjuar. Ai i përjetoi të dyja ndeshjet sikur të ishin sfida zyrtare.

MAGANI

Në një prononcim për gazetën, trajneri flet për dy takimet e kaluara dhe sfidat e mbetura të kampionatit. “Ne në stërvitje ushtrojmë skema të ndryshme taktike në funksion të lojës. Jo pak herë ndërhyj, ndërpres lojën, duke udhëzuar e korrigjuar gabimet. Kur kjo ndodh në stërvitje, po në miqësore si thoni ju? A nuk janë miqësoret test real i gjendjes së grupit?

Në çdo ndeshje, qoftë edhe brenda grupit, ai që ka ego, dëshirë dhe ambicie të fitojë, e tregon atë. Në këtë kuptim, miqësoret i kam parë e trajtuar si përballje të vërteta. Nëse gabon në miqësore dhe nuk e vlerëson, atë gabim do bësh edhe në takimet zyrtare. Ndaj më keni parë aq të angazhuar”, thotë fillimisht trajneri.

Ndërkaq, kavajasit sipas kalendarit e kanë pushim edhe këtë javë. “Po e nis nga pushimi i gjatë, që sigurisht s’i bën mirë asnjë ekipi, pasi ndikon në programet që ne si staf përgatisim dhe zbatojmë. Por, ka edhe anën tjetër, pasi ne rikuperuam 4 futbollistë, të cilët na munguan në dy javët e fundit. Për ta mbushur këtë boshllëk, zhvillohen miqësoret. Në tërësi jam i kënaqur nga këto dy takime të zhvilluara. Konstatova kënaqësi, grintë dhe dëshirë nga secili lojtar.

Futbollistët shfaqën hapur dëshirën dhe ambicien për t’i fituar ndeshjet dhe si trajner kjo më gëzon. Kuptohet që pati edhe gabime, por sikurse citova më lart, prandaj më patë duke udhëzuar gjatë të gjithë kohës në këmbë, që ato të mos përsëriten. Përtej fitores me Kastriotin, mos harroni se ne jemi Besa. Shumëkush ka harruar se kush jemi ne, duke na parë e gjykuar vetëm në këto 5 vitet e fundit. Detyra jonë mbetet ta kthejmë Besën në origjinë, aty ku ka shtëpinë e saj me dekada. Jam i bindur se do t’ia arrijmë”, deklaroi Magani për gazetën.

FERIZ FERIZAJ