Maçolli paralajmëron Elbasanin: Nuk ka vend për vetëkënaqësi në Durrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2025 | 23:38

Maçolli paralajmëron Elbasanin: Nuk ka vend për vetëkënaqësi në Durrës

Pas fitores së rëndësishme në Shkodër ndaj Vllaznisë dhe para sfidës së radhës në mesjavë kundër Elbasanit, mesfushori i Teutës, Xhoele Maçolli, ishte një nga protagonistët kryesorë të javës, duke u vlerësuar edhe me çmimin “Lojtari i Ndeshjes”. Pas paraqitjes së tij vendimtare, Maçolli foli për emocionet e këtij suksesi, atmosferën në skuadër dhe objektivat që Teuta synon në vijim.

MACOLLI

Xhoele, së pari urime për çmimin “Lojtari i Ndeshjes”. Si ndihesh pas këtij vlerësimi?
Faleminderit shumë. Është një vlerësim i veçantë për mua, sepse vjen pas një ndeshjeje të vështirë dhe shumë të rëndësishme. Çmimi është meritë e gjithë ekipit; pa punën dhe mbështetjen e djemve, askush nuk shkëlqen individualisht. Fitorja në Shkodër ndaj Vllaznisë nuk është kurrë e lehtë.

Si e përjetuat këtë sukses?
Ishte një fitore e madhe për ne. Në Shkodër atmosfera është gjithmonë e fortë, por ne shkuam me vendosmëri dhe me plan të qartë loje. Bëmë një paraqitje të disiplinuar dhe shfrytëzuam momentet tona. Ky rezultat na jep shumë besim për vazhdimin.

Cili ishte momenti kyç që, sipas teje, e përcaktoi ndeshjen?
Besoj se momenti kyç ishte reagimi ynë pas pushimit. E nisëm pjesën e dytë me më shumë intensitet dhe e kontrolluam më mirë mesfushën. Kur fiton duelet dhe ritmin e lojës, edhe goli vjen natyrshëm.

Tani ju pret një ndeshje tjetër e rëndësishme të mërkurën ndaj Elbasanit në Durrës. Si po përgatiteni?
E dimë që do të jetë një ndeshje krejt tjetër. Elbasani është skuadër që nuk të fal nëse ul ritmin. Ne po fokusohemi që nga dita e parë në rikuperim dhe në përgatitje taktike. S’ka vend për vetëkënaqësi; në Durrës duhet të tregojmë të njëjtin intensitet si në Shkodër.

Çfarë mesazhi ke për tifozët para kësaj sfide?
Tifozët janë forca jonë. I ftoj të jenë në stadium dhe të na mbështesin si gjithmonë. Premtojmë që do të luftojmë për çdo top dhe do të japim maksimumin për t’i bërë ata krenarë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL