Lukas Sulaj Kloppenborg, Shqipëria me një lider të ri në çiklizëm
Çiklizmi shqiptar po përjeton momente krenarie në garat ndërkombëtare, një dëshmi e punës së palodhur të sportistëve dhe vizionit strategjik të Federatës Shqiptare të Çiklizmit.
Kampioni kombëtar, Lukas Sulaj Kloppenborg, po shfaq formë të lartë dhe shpirt luftarak në Turul Szeklerland në Rumani, një garë e rëndësishme e kalendarit “UCI Europe Tour”, duke mishëruar ambiciet e reja të këtij sporti në vend. Gjatë etapës së djeshme të këtij turi të kategorisë 2.2, Sulaj Kloppenborg ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes. Nën mbështetjen dhe besimin e dhënë nga FSHÇ, çiklisti shqiptaro-danez ka tentuar disa herë të shkëputet nga pelotoni, duke mos u kursyer dhe duke treguar me krenari fanellën kuq e zi në ekranet sportive.
Këto sulme të përsëritura, edhe pse nuk u finalizuan me një shkëputje fituese, dëshmojnë për një formë të shkëlqyer fizike dhe pasqyrojnë një mentalitet të ri, të futur nga federata, që kërkon jo thjesht pjesëmarrje, por konkurrim real në nivelet më të larta. Kjo paraqitje vjen në një moment kyç për kampionin e Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2025. Pjesëmarrja në Turul Szeklerland nuk është vetëm një garë individuale, por një stacion thelbësor përgatitor, pjesë e një plani të mirëstrukturuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit për dy objektiva madhorë që presin Kombëtaren, siç janë Turi i Kosovës dhe mbi të gjitha, Kampionatin Europian. Duke u matur me ekipe të forta kontinentale, Lukas po teston këmbët dhe strategjinë përpara betejave ku do të përfaqësojë ngjyrat kombëtare.
Ambiciet janë të mëdha për Europianin, ku Shqipëria do të paraqitet me një ekip të fortë dhe premtues dhe kjo tregon qartë përkushtimin e Federatës Shqiptare e Çiklizmit në rritjen dhe menaxhimin e talenteve. Krahas Lukas Sulaj Kloppenborg, i cili pritet të jetë lideri i ekipit, seleksioni cilësor përfshin emra të rëndësishëm si Gabriele de Fabritiis, Olsian Velia, Valentino Kamberaj, Henri Hysa dhe juniorin premtues Leo Piku. Gjithashtu, falë strategjosë gjithëprfshirëse të FSHÇ-së, çiklizmi i femrave do të përfaqësohet nga dy vajza të shkëlqyera si Nelia Kabetaj dhe Nikol Dollaku, duke dëshmuar për një rritje të qëndrueshme në të gjitha nivelet.
Duke u kthyer te Kloppenborg, performanca dhe guximi i treguar nga Lukas në Rumani janë një sinjal shumë pozitiv, që ushqejnë optimizëm në të gjithë komunitetit e çiklizmit shqiptar, për një paraqitje dinjitoze në eventet e ardhshme. Sytë e tifozëve kuqezi do të jenë mbi të dhe gjithë ekipin kombëtar, teksa përgatiten të valëvisin flamurin shqiptar në majat e çiklizmit europian.
PANORAMASPORT.AL













