“Lufta për mbijetesë” nis me rastësira, Kërnaja vendoset përballë Morieros
Sfida mes Flamurtarit dhe Partizani nuk është thjesht një e radhës. Sipas renditjes përballen dy skuadrat që qëndrojnë në fundin e tabelës. Partizani ka vetëm 2 pikë më tepër se Flamurtari i vendit të fundit, që akoma nuk ka provuar shijen e fitores.
Interesant është fakti se të dyja klubet sapo kanë mbyllur bashkëpunimet me trajnerët respektivë. Partizani largoi Mladen Milinkoviç, ndërsa Flamurtari e mbylli me Karlos Garsian. Sinjale që klubet nuk ishin aspak të kënaqura gjatë kësaj periudhe. Pozicioni në renditje flet shumë.
Dy trajnerë të rinj pritet të debutojnë në javën e shtatë. Oltijon Kërnajës iu besua drejtimi i ekipit A, edhe pse nuk dihet se për sa kohë do të zgjasë ky vendim. Në anën tjetër ndodhet Françesko Moriero, që solli entuziazëm me prezantimin te Flamurtari. Interesant është fakti se në edicionin e kaluar punonin bashkë te Laçi.
DEBUTIMI- Moriero si trajner dhe Kërnaja si ndihmës e nisnin mbarë aventurën e tyre te Laçi. Ishte pikërisht 19 tetor i vitit të kaluar ku bardhezinjtë mposhtnin Vllazninë me rezultatin 3-1. Rastësia është e madhe, pasi edhe Flamurtari-Partizani mund të zhvillohet më 19 tetor. Bashkëpunimi mes dy trajnerëve vazhdoi për 13 javë të Superiores.
BASHKËPUNIMI- Moriero dhe Kërnaja punuan bashkë për tre muaj. Trajneri i ri i Partizanit zyrtarizonte largimin më 24 janar. Gjatë kësaj kohe Laçi bënte mjaft mirë. Pas fillimit të dobët, mori veten me 17 pikë të grumbulluara në 13 ndeshje. Elbasani, Teuta, Tirana dhe Skënderbeu kishin bërë më keq në këtë periudhë kohore. Kërnaja u largua pas një humbje 0 me 3 në Ballsh, ndërsa Moriero qëndroi deri në fund. Laçi preku fundin dhe pavarësisht sforcos deri në fund, nuk ia doli të mbijetonte. Kurbinasit përfunduan në Kategorinë e Parë, ndërsa pengjet ishin të mëdha. Tirana në zonën “play-out” ndodhej vetëm 2 pikë larg.
SFIDA- Sakrificat e të dyve te Laçi ishin të mëdha. Atëherë synonin të shpëtonin kurbinasit nga rënia. Dhe pse është herët për të folur, Partizani dhe Flamurtari që ndodhen në zonën e ftohtë kërkojnë nga Kërnaja e Moriero shpëtim. Të dy kanë besimin e klubit. Kërnaja ka avantazh që punon me grupin e Partizanit, në dispozicion të Milinkoviç, nga muaji gusht. Në anën tjetër Moriero nuk ka më tepër kohë se 10 ditë për të qartësuar çdo gjë.
PANORAMASPORT.AL













